Osmani: Pa vendim të Kushtetueses s’ka dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit

  • A.P /
  • 09 June 2022 - 20:12
Osmani: Pa vendim të Kushtetueses s’ka dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit

Më 6 prill të këtij viti Blerim Isufaj është zgjedhur Kryeprokuror i Shtetit.

Që nga ajo kohë presidentja e vendit Vjosa Osmani ende nuk ka marrë vendim për dekretimin e tij.

Krejt kjo, pasi që njëri prej kandidatëve për këtë pozitë, Shqipdon Fazliu është ankuar në Gjykatën Kushtetuese për kushtetutshmërinë e procesit.

E, deri në një vendim të Kushtetueses presidentja Osmani nuk do ta dekretojë asnjë emër.

Kështu kanë thënë  nga zyra për media.

“ZPRK-ja është njoftuar përmes një shkrese zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, se njëri nga kandidatët në këtë proces ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi, dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e kryeprokurorit të shtetit. Duke qenë se kjo kërkesë tanimë është regjistruar në Gjykatën Kushtetuese, dhe e njëjta do të shqyrtohet nga kjo  Gjykatë, ZPRK-ja e vlerëson se një vendim potencial i Presidentes në këtë kohë, në lidhje me emërimin ose jo të kandidatit për kryeprokuror të shtetit, do të ishte i parakohshëm”,  thuhet në përgjigjen e ZKPS-së 

Lidhur me këtë çështje, Front Online ka kërkuar përgjigje edhe në Gjykatën Kushtetuese, por të njëjtit deri në publikimin e artikullit nuk kanë kthyer përgjigje.

Blerim Isufaj arriti të zgjidhet si më i suksesshmi në këtë votim, me gjithsej 98 pikë.

Ndërsa, sipas rezultatit të intervistimit renditja e katër kandidatëve të tjerë sipas pikëve ishte: Shqipdon Fazliu me 92 pikë, Kujtim Munishi me 84.2 pikë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe Lulzim Sylejmani me 74.2 pikë.

Procesi i përzgjedhjes së Isufajt në krye të Prokurorisë së Shtetit është komentuar shumë, ku reagime të njëpasnjëshme pati edhe nga ambasadat e huaja në Kosovë.

Ndryshe në bazë të ligjeve në Kosovë, Presidenti brenda 60 ditësh pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Këshilli

Konform Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, mandati i Kryeprokurorit të Shtetit do të jetë 7 vjeçar, pa mundësi riemërimi.

(Kosova Sot Online)