“Duhet ta ndalim tani”, fjalimi i fundit i Putin nxit shqetësime të mëdha

  • E.K /
  • 10 June 2022 - 11:44
“Duhet ta ndalim tani”, fjalimi i fundit i Putin nxit shqetësime të mëdha

Një gazetar nga Bellorusia, Tadeusz Gizcan, në profilin e tij në twitter ka shpërndarë një video të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, ku flet për apetitet e tij për pushtime përtej Ukrainës.

Gazetari bellorus është ndjerë i habitur nga ajo që Putin ka thënë gjatë një bashkëbisedimi me disa të rinj.

Siç citon Gizcan, Putin është rikthyer në shekullin 17-të, duke pretenduar se Pjetri i Madh në luftë me Suedinë s’kishte pushtuar asgjë dhe se kishte marrë atë që Rusisë i kishte takuar gjithmonë.

“Gjatë luftës me Suedinë, Pjetri i Madh nuk pushtoi asgjë, ai mori atë që na kishte takuar gjithmonë, edhe pse e gjithë Evropa e njohu atë si të Suedisë. Duket se tani është radha jonë për të na kthyer tokat tona [duke buzëqeshur]”, citohet të ketë thënë Vladimir Putin.

Për një deklaratë të tillë të Vladimir Putin ka reaguar edhe politikania gjermane, Viola von Cramnon, e cila është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Von Cramon ka thënë se është koha që Putin të ndalet tani, sepse tashmë ai po kërcënon gjithë botën.

Lidhur me këtë ka reaguar edhe deputetja gjermane, Renata Alt, e cila ka konsideruar si kërcënim të Putinit për të gjithë Evropën.

“Putin shpreh qartë iluzionet e tij të madhështisë: tani lufta në Ukrainë nuk mjafton më, Rusia duhet të “marrë atë që është e tij””, ka shkruar Alt, duke thënë se kjo deklaratë e Putinit është një thirrje për zgjim për të gjithë ata që kanë ende hezitime.

Ka reaguar edhe Gerard Knaus nga “Iniciativa Evropiane për Stabilitet”, duke e cilësuar një deklaratë të tillë të Vladimir Putinit si “kolonializëm i hapur dhe i turpshëm”.

(Kosova Sot Online)