Opozitarët e shënojnë vetë Ditën e Çlirimit, nuk shkojnë në organizimin e Osmanit

  • A.P /
  • 12 June 2022 - 15:04
Opozitarët e shënojnë vetë Ditën e Çlirimit, nuk shkojnë në organizimin e Osmanit

Opozita e ka shënuar vetë përvjetorin e 23 të çlirimit të vendit duke mos shkuar në aktivitetin kryesor që e ka organizuar presidenca e Kosovës në Bllacë – për nder të 23 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë.

Zyrtarët e Partisë Demokratike e Kosovës( PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nuk janë parë në manifestimin ku kanë marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri, Albin Kurti e kryeparlamentari, Glauak Konjufca dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë, përfshirë ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Opozita nuk ka marrë pjesë në organizimin e presidencës për shënimin e 23 vjetorit të hyrjes së këmbësorisë së NATO-s në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e presidencës

Gazeta ka dërguar pyetje te zëdhënësit e partive opozitare, por deri në këtë moment përgjigje s’ka pasur.

Po ashtu në Bllacë kanë shkuar edhe deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Opozita në Kosovë shpesh e ka cilësuar Osmanin si “presidente të njëanshme”, duke theksuar që ajo “s’e përfaqëson unitetin e popullit”.

Ndryshe liderët e partive opozitare këtë ditë e kanë shënuar nëpërmjet postumeve në Facebook

Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së, ka shkruar për 23 vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke iu kujtuar ish-themeluesit e UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale.

“23 vjet më parë, për Kosovën nisi një kohë e re, e lirisë, që i hapi rrugë ndërtimit e zhvillimit të vendit. Kështu, rindërtuam shtëpitë e djegura, shkollat e reja, rrugët e autostradat, por edhe administratën, policinë e ushtrinë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Edhe Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së i ka uruar qytetarët në rastin e Ditës së Çlirimit

“Sot, shënojmë 12 qershorin; ditën e datën më të rëndësishme në historinë moderne të popullit të Kosovës, ditën e çlirimit dhe paqes, ndërsa prej kësaj date, konflikti dhe eksodi mbeten kujtime dhe histori e së kaluarës; por edhe udhërrëfim i së ardhmes. Kjo është një ditë e krenarisë, por dhe e dhimbjes dhe e kujtimit për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë tonë.

Po ashtu edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar në rastin e kësaj dite, duke i përkujtuar dëshmorët e kombit.

“Falë gjakut të Dëshmorëve, vendosmërisë e trimërisë së luftëtarëve të UÇK-së, intervenimit të NATO-s, sot jemi pjesë e botës së lirë”.

(Kosova Sot Online)