PDK: Të nisin hetimet për abuzimin e zv.ministres Daulina Osmani, ia dha motrës 335 mijë euro

  • A.P /
  • 13 June 2022 - 15:59
PDK: Të nisin hetimet për abuzimin e zv.ministres Daulina Osmani, ia dha motrës 335 mijë euro

Kryetari i Rinisë Demokratike të Kosovës, Donjet Bislimi, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të nisë hetimet për ‘aferën e abuzimit të 335 mijë eurove’ nga zëvendësministrja e MKRS-së, Daulina Osmani.

Në një konferencë për media, Bislimi tha se tha se me këto 335 mijë euro janë blerë disa pajisje dimërore dhe të tjerat u shpenzuan për akomodim në hotelin “Molika” në Brezovicë, i cili sipas dokumentacionit zyrtar nuk figuron i regjistruar fare në Kosovë, por është i regjistruar në Serbi.

“Pra, disa prej këtyre parave të taksapaguesve kosovarë, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosoves përfunduan në xhirollogarinë e hotelit në Serbi. Për ta vërtetuar të gjithë ju që zëvendësministrja Daulina Osmani ishte bartëse e këtij projekti që paratë ia dha kompanisë ku punon motra e saj, mund të hyni në faqen e saj në Facebook dhe e shihni si e promovonte këtë projekt. Madje ajo e kishte ftuar në Brezovicë gjatë atyre ditëve që po zbatohej projekti, edhe kryeministrin Albin Kurti, i cili shkoi në Brezovicë dhe bashkë me zëvendësministren Daulina Osmani ato ditë me borë hipi në teleferik”, tha ai.

PDK i ka bërë thirrje ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, që të japë llogari dhe sqarime lidhur me këtë rast.

“Edhe pse kanë kaluar disa ditë që ky projekt abuziv është denoncuar nga media, ministri i Vetëvendosjes, Hajrullah Çeku, ende nuk është deklaruar për këtë çështje dhe kjo heshtje nuk mund të interpretohet ndryshe përveçse si miratim.”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)