Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi i hyn biznesit profitabil me kriptovaluta, 200 mijë euro vlerë e përfituar nga viti i kaluar

  • E.K /
  • 15 June 2022 - 13:55
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi i hyn biznesit profitabil me kriptovaluta,  200 mijë euro vlerë e përfituar nga viti i kaluar

- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar përsëri në Agjencinë Kundër Korrupsionit se posedon kriptovaluta, vlera momentale e të cilave kap shifrën e rreth 134 mijë euro. Vlera e këtyre kriptovalutave është llogaritur sipas datës 14 qershor 2022 . Memli Krasniqi ka deklaruar në deklarimin e pasurisë për vitin 2021, se ka investuar në 45 kriptovaluta. Vlera e llogaritur  e 39 prej tyre, pasi që 6 të tjerat kishin emër të njëjtë, më shumë se një e tillë. Në deklarimin e pasurisë në vitin 2021, Krasniqi kishte rreth 330 mijë euro vlerë në kriptovaluta. Ai  ka deklaruar se në pronësi të vetën ka një apartament në sipërfaqe prej 110 m2, që e ka blerë në vitin 2012 në vlerë prej 110 mijë euro.

Po ashtu, Krasniqi ka deklaruar në pronësi të përbashkët një shtëpi me 2.86 ari truall, që e ka blerë në vitin 2018 me kredi familjare, kursime dhe kontribut familjar, në vlerë prej 160 mijë eurove. Tutje, Krasniqi në pronësi të përbashkët ka deklaruar një bibliotekë personale që vlerë prej 13 mijë euro, po ashtu në pronësi të përbashkët piktura dhe vepra arti që i ka vlerësuar me 6 mijë e 500 euro. Ndërsa në emër të bashkëshortes ka deklaruar një veturë ‘Tiguan’, në vlerë 22 mijë e 500 euro që e ka blerë me kredi/lizing financiar. Sa i përket parave të gatshme, Krasniqi ka deklaruar se ka 5 mijë e 907 euro në një bankë në Kosovë dhe 4 mijë e 935 euro në një bankë në Bullgari. Ndërsa bashkëshortja e tij ka 813 euro para të gatshme në një bankë në Kosovë.

Në lidhje me detyrimet financiare, Krasniqi ka deklaruar se personalisht ka një kredi në vlerë prej 65 mijë eurove për periudhën 2018-2025 për blerjen e shtëpisë dhe një tjetër në vlerë prej 30 mijë eurove për periudhën 2020-2025, për renovimin e shtëpisë. Ndërsa në emër të bashkëshortes së tij ka deklaruar se ka një kredi prej 23 mijë e 265 euro, për periudhën 2018-2023, për blerjen e veturës. Si deputet i Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka deklaruar pagë vjetore prej 21 mijë e 602 euro. Ndërsa ka deklaruar të hyra prej tërheqjes së kriptovalutave, 3 mijë e 78 njëherë dhe 6 mijë e 177 euro një herë tjetër Kurse në emër të bashkëshortes së tij, Krasniqi ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 12 mijë e 622 euro nga Instituti Albanologjik. Si dhe njëherë 1 mijë e 881 të hyrë me honorar nga Instituti Albanologjik dhe një herë tjetër 121 euro nga Instituti ‘Musine Kokolari’.

(Kosova Sot Online)