Dokumenti francez: Të krijohet një ‘komunitet i ri politik evropian

  • A.P /
  • 17 June 2022 - 14:28
Dokumenti francez: Të krijohet një ‘komunitet i ri politik evropian

Franca dëshiron të krijojë një forum politik gjithëpërfshirës evropian që nuk do të ishte zëvendësues i Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës apo Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), por do të mundësonte ndërtimin e një komuniteti të të gjitha vendeve evropiane, pavarësisht nga statusi i tyre në BE apo marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Këtë ide e ka prezantuar për herë të parë presidenti i këtij vendi, Emmanuel Macron, një muaj më parë dhe do të diskutohet në mbledhjen e radhës të Këshillit Evropian më 23 dhe 24 qershor në Bruksel.

Franca tashmë u ka dërguar një non-paper vendeve të BE-së ku shprehet ideja e krijimit të një ‘komuniteti politik evropian’.

Gazeta kroate, jutarnjilist ka parë për së afërmi dokumentin francez, i cili po diskutohet në BE. Është interesant fakti se propozimi u bë vetëm pak ditë para publikimit të opinionit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë.

Komisioni pritet të rekomandojë dhënien e statusit kandidat për Ukrainën, ndoshta edhe për Moldavinë, dhe është e pasigurt se si do të zbatohet kjo për Gjeorgjinë.

Edhe pse BE-ja thotë se pas aplikimit të këtyre vendeve për anëtarësim në BE, ata ‘ndoqën procedurën e zakonshme ekzistuese’, është e qartë se gjithçka shkoi shumë më shpejt dhe se bëhej fjalë për motive politike, e më pak për përmbushjen e kritereve reale për anëtarësim. Por gjithsesi, procesi i zgjerimit varet në radhë të parë nga vullneti politik, e më pas nga kushtet formale.

Një proces i gjatë

Non-paperi francez thekson se Këshilli Evropian, i cili do të mblidhet brenda një jave në Bruksel, pritet të vendosë për aplikimin e Ukrainës rreth anëtarësimit, por gjithashtu paralajmëron për kohëzgjatjen e gjatë të procesit, ndaj sugjerojnë krijimin e një ‘Komuniteti Politik Evropian ‘.

‘Çfarëdo niveli të arrijmë në këtë Këshill Evropian, politika e zgjerimit, për shkak të kërkesës për reforma të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe kohëzgjatjes që domosdoshmërisht pason, nuk ofron sot kuadrin e nevojshëm politik për t’iu përgjigjur nevojave urgjente historike dhe gjeopolitike që dalin nga lufta kundër Ukrainës dhe për ndërtimin e strukturimit politik të kontinentit tonë evropian’, shkruan në non-paper francez.

Ishte kjo kohëzgjatje e procesit që i shërbeu Francës si një argument për një propozim rreth një ‘komuniteti politik evropian’ në të cilin të gjitha vendet do të ishin të gatshme të ndajnë vlerat e përbashkëta demokratike dhe të kontribuojnë në sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e përbashkët të Evropës. Komuniteti do të ishte i hapur për të gjitha vendet evropiane, pavarësisht nëse janë anëtarë të BE-së dhe pavarësisht nga marrëdhëniet e tyre me Bashkimin Evropian. Ose ata që duan të jenë anëtarë, ata që nuk duan ose janë larguar prej saj, ose janë të lidhur me BE-në vetëm me marrëveshje ekonomike.

Vendet që janë menduar më së shumti në diskutimet për këtë plan francez janë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ato të Partneritetit Lindor, por edhe Mbretëria e Bashkuar, e cila është larguar nga Bashkimi Evropian.

Një ide e ngjashme e Michel

Ky komunitet do të kishte një format ‘strukturë të butë ligjore’ me kompetenca vendimmarrëse, por me respekt për autonominë e BE-së në vendimmarrje. Takimet brenda një komuniteti të tillë do të ishin të rregullta, disa herë në vit, si në nivel krerësh shtetesh apo qeverish, ashtu edhe në nivel ministresh.

Një ide e ngjashme u hodh nga Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i cili e quajti atë diçka ndryshe, si ‘Komuniteti Gjeopolitik Evropian’.

Duke qenë se Michel është jashtëzakonisht i afërt me Macronin, është padyshim e njëjta gjë, ndaj do të jetë një nga temat kryesore të Këshillit Evropian në fund të javës së ardhshme.

Kur Macaron parashtroi për herë të parë idenë e një ‘komuniteti politik evropian’, pasi u tregua skeptik ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, shumë ishin skeptikë.

Por në këtë non-paper thuhet se krijimi i këtij komuniteti do të ndihmojë, jo do të parandalojë, integrimin në BE për ato vende që e dëshirojnë.

(Kosova Sot Online)