45 kg drogë në kontejnerin me mish në Durrës, kush është biznesmeni me banim në Prishtinë që u arrestua?

  • A.P /
  • 16 June 2022 - 16:28
45 kg drogë në kontejnerin me mish në Durrës, kush është biznesmeni me banim në Prishtinë që u arrestua?

Në portin e Durrësit u kapën mbrëmjen e kaluar mbi 45 kilogramë kokainë. Lënda narkotike ishte e fshehur në një kontejner me mish pule që kishte ardhur tranzit nga Brazili. Ngarkesa me mish ka ardhur për llogari të një kompanie me emrin “Apetit Group”.

Lidhur me këtë ngarkesë, janë arrestuar dy persona njëri nga ta është shtetas i Republikës së Kosovës, biznesmeni Arben Ferizi, i cili është administrator i kompanisë njëhershmit banues në Prishtinë dhe Egert Vargu i cili është agjent doganor në Portin e Durrësit.

Dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”.

“Abcnews.al” ka raportuar se lënda narkotike kishte ardhur për dy grupe kriminale, ndërsa ishte e ndarë në 40 pako dhe secila prej tyre kishte të vendosur nga një foto të filmave të animuar.

Kontejneri kishte si destinacion final Maqedoninë e Veriut. Vijon puna hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar që fshihen pas kësaj ngarkese.

(Kosova Sot Online)