Ish-kryediplomati shqiptar: Këshilli Europian do të jepte mesazhin e duhur me heqjen e vizave për Kosovën

  • G.G /
  • 17 June 2022 - 12:49
Ish-kryediplomati shqiptar: Këshilli Europian do të jepte mesazhin e duhur me heqjen e vizave për Kosovën

Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, thotë se Komisioni Europian do të jepte mesazhin e duhur ndaj Ballkanit Perëndimor nëse BE do të fillonte negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe nëse do t’ia liberalizonte vizat Kosovës.

“Në kohën kur është e lehtë të bëhesh cinik rreth BE-së, lajmi se Ukraina po bëhet vend kandidat për BE-në është përkujtues se për çfarë është projekti europian: paqe, liri dhe mirëqenie. Hapja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe heqja e vizave për Kosovën do të ishin mesazhet e duhura nga Komisioni Europian”, ka shkruar Bushati.

Ky takim i Komisionit vjen një ditë pasi katër liderë evropianë vizituan Ukrainën dhe shprehën mbështetjen e tyre për dhënien e “menjëhershme” të statusit të kandidatit, teksa Kievi po përballet me pushtimin e paprovokuar të Rusisë.

Këtë deklaratë, Bushati e bëri në kohën kur BE ka shtuar përpjekjet për të përshpejtuar integrimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe Ukrainës.

Nga ana tjetër, Komisioni Europian sot ka rekomanduar Ukrainën dhe fqinjin e saj, Moldavinë, që të jenë kandidate për anëtare të Bashkimin Europian. Mbledhja e Komisionit sot erdhi pas vizitës së tre liderëve kryesorë të BE-së në Kiev.  Asnjëherë më parë një mendim i tillë nuk është dhënë kaq shpejt për anëtarësim në Bashkimin Europian, vendim që duhet të miratohet nga të 27 shtetet anëtare.

(Kosova Sot Online)