
KOMF reagon pas pamjeve ku një burrë rrah brutalisht një fëmijë në Prishtinë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, me shqetësim ka parë videon e publikuar në media, ku shihej ushtrim i dhunës ndaj një fëmije në Tauk Bahqe në Prishtinë.
KOMF bën thirrje tek mediat që kanë publikuar pamje filmike të cilat mund të çojnë në zbulim të identitetit të fëmijës, t’i largojnë menjëherë ato.
“Zbulimi i identitetit të fëmijës viktimë çon në dëmtim të rëndë dhe riviktimizim të fëmijës. Mediat në radhë të parë të mbrojnë mirëqenien, integritetin e fëmijës, konfidencialitetin e rastit duke pasur në fokus interesin më të mirë të fëmijës”, thuhet në njoftimin e tyre.
Pamjet filmike të dorëzohen tek organet e rendit dhe drejtësisë, prej të cilave KOMF kërkon ndërmarrjen e veprimeve urgjente sipas legjislacionit në fuqi për sigurimin e mbrojtjes dhe mirëqenies së fëmijës dhe marrjen e masave ndaj kryerësit.
“Dhuna ndaj fëmijëve është vepër penale e sanksionuar me Kodin Penal të Kosovës, prandaj KOMF bën apel për zbatim të menjëhershëm e rigoroz të legjislacionit”, thuhet tutje në komunikatë.
(Kosova Sot Online)