Të gjitha rastet kur opozita pranoi takim me Kurtin dhe një refuzim i LDK’së
Kohë pas kohe, kur kryeministri Kurti i ka thirrur, dy krerët e opozitës i kanë shkuar në takime dikur opozitarit të pabindur që ndante me vija të kuqe kufirin e tij me krerët e institucioneve. Sot për herë të parë, Kurtin e refuzoi Lumir Abdixhiku i LDK-së.
Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, dy kryetarë të rinj të partive më të vjetra në Kosovë, nuk janë treguar refuzues ndaj kryeministrit Albin Kurti në shumicën prej herëve që ai i ka ftuar për biseda.
Takimi i fundit ishte ai mes kryeministrit Kurti dhe kryetarit të PDK-së, sot, në Kuvend. Ishin takuar për të biseduar rreth vetingut në drejtësi. Krasniqi tregoi se kryeministri e ka ftuar në zyrën e tij, por që kreu i PDK-së ka kërkuar që takimi të mbahet në Kuvendin e Kosovës.
Kuvendi, thotë Krasniqi, duhet të jetë vendi i vetëm ku duhet të zhvilloi procesi i vetingut.
Si Krasniqi mendon edhe LDK-ja, por, kreu i saj nuk e pranuar ftesën e Kurtit në Kryeministri, pasi takimet në hapësira të tjera, pos Kuvendit, LDK-ja i quan “të panevojshme”. Këto ia ka thënë Gazetës Express anëtarja e kryesisë së partisë, Sibel Halimi.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, duke njohur rëndësinë e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë si dhe duke u bazuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, vlerëson se kontributi ynë do të ofrohet në institucionin më të lartë në vend, Kuvendin e Kosovës. Andaj, ftesa e kryeministrit Kurti, për t`u takuar në hapësira tjera për një çështje kaq të rëndësishme është e panevojshme”, tha ajo.
Në takimin me kreun e Qeverisë, për të folur për Vettingun, e ka pranuar edhe AAK-ja. Nuk dihet nëse merr pjesë kryetari i saj, Ramush Haradinaj, i cili së fundmi ka pasur vazhdimisht përplasje të ashpra me kryeministrin Kurti dhe akuza drejtuar atij në Kuvend.
Ftesat e Kurtit që nuk i refuzoi opozita
Gjatë qeverisjeve të mëhershme të PDK-së dhe LDK-së, takimet e kryeministrave si Hashim Thaci a Isa Mustafa, me opozitën, që zakonisht ishte Vetëvendosja, nuk ishin diçka e parë.
Por, Kurti sapo erdhi në pushtet tregoi se do të bashkëpunonte për cështjet “me interes për Kosovën”, të cilat, edhe opozita vlerësonte se duhet të kishte “unitet politik”.
Në maj të vitit 2021, pak muaj pasi Kurti erdhi për së dyti në krye të Qeverisë, takoi kryetarin e AAK-së dhe të LDK-së. Atëkohë tema ishte dialogu me Serbinë.
Abdixhiku kishte shkuar në Kryeministri, i shoqëruar nga nënkryetari Lutfi Haziri. Zyra e Kryeministrit njoftonte se Kurti i kishte njoftuar përfaqësuesit e LDK-së për negociatat në Bruksel, ndërsa Abdixhiku i kishte dorëzuar me shkrim pikëpamjet e partisë së tij për dialogun me Serbinë.
“Kryeministri Kurti dhe kryetari i LDK-së u pajtuan që diskutimi rreth dialogut të vazhdojë edhe në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri e vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit pozitë-opozitë”, thoshte komunikata e ZKM-së.
(Kosova Sot Online)
