Osmani: Ndërkombëtarët s’mund të na kërkojnë ta zbatojmë vendimin për Manastirin e jo atë të Asociacionit

  • E.K /
  • 01 July 2022 - 09:57
Osmani: Ndërkombëtarët s’mund të na kërkojnë ta zbatojmë vendimin për Manastirin e jo atë të Asociacionit

Presidentja Vjosa Osmani, ka hedhur kritika ndaj komunitetit ndërkombëtar lidhur me kërkesat e tyre për zbatim të vendimit të Kushtetueses për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Shefja e shtetit ka thënë se askush s’mund t’i kërkojë Kosovës që ta zbatojë vendimin për Manastirin por të mos e zbatojë vendimin e Kushtetueses për Asociacionin.

“Nëse kërkohet nga komuniteti ndërkombëtar që të shtyhet çështja e zbatimit të Manastirit të Deçanit, pyetja është pse nuk janë aq të zëshëm edhe për shumë e shumë vendime të tjera të Gjykatës Kushtetuese që nuk janë zbatuar në praktikë, pra nuk mund të ketë qasje të ndarë që të kërkohet vetëm njëri të zbatohet e jo të tjerat. Nuk mundet askush me i thënë institucioneve të Kosovës zbatojeni vendimin për Manastirin e Deçanit por mos e zbatoni atë për Asociacionin”, ka thënë ajo në emisionin Interaktiv.

Osmani poashtu tha se çështja e Asociacionit është sqaruar me Aktgjykimin e Kushtetueses dhe s’mund të bëhen propozime për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe pas Aktgjykimit.

“Si mendoni ju që mund të bëhet një propozim për Asociacionin përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Çështja e Asociacionit është sqaruar me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.”, tha ajo.

Presidentja deklaroi tutje se Gjykata Kushtetuese s’i ka dhënë fund vetëm një çështje në Aktgjykimin për Asociacionin, e që është një OJQ.

“E vetmja gjë të cilës nuk i ka dhënë fund Gjykata Kushtetuese është një OJQ-je, pra një OJQ e cila tashmë edhe parashihet me ligjin për vetqeverisjen lokale. Pra ligji ynë i lejon komunat që të bashkohen nëpër OJQ për interesa të caktuara, ta zëmë komunat që kanë interes në çështje ambientale, formojnë një Asociacion për interesa të gjelbërta ta zëmë Asociacioni i Komunave të Gjelbërta”, tha ajo.

Osmani shtoi se asociacionet me kompetenca ekzekutive janë të ndaluara nga Kushtetuesja dhe s’mund të zbatohen në praktikë.

“Asociacione të tilla që kanë kauza, por asociacionet monoetnike i ka ndaluar Gjykata Kushtetuese. Asociacionet me kompetenca ekzekutive janë të ndaluara në Kushtetutën tonë dhe të konfirmuara nga Gjykata Kushtetuese. Pra këtu po flasim për parimet, dhe natyrisht assesi ato që i ka ndaluar Gjykata Kushtetuese nuk mund të zbatohen në praktikë vetëm ato që nuk i ka ndaluar pavarësisht se shumë prej tyre nuk na kanë pëlqyer fare në të kaluarën Kosova ka marrë obligim ndërkombëtar”, u shpreh Osmani.

(Kosova Sot Online)