'Gjunjëzohet Telekomi', gati t’i vihet dryri

  • A.P /
  • 04 July 2022 - 16:29
'Gjunjëzohet Telekomi', gati t’i vihet dryri

Zyra Kombëtare e Audimit ka ngritur alarmin se Ndërmarrjes Publike “Telekomi i Kosovës” mund t’i vuhet dryri.

Sipas Auditorit të Përgjithshëm, Telekomi ka pasiguri të shumta dhe se nuk është e sigurt a do t’i përballojë obligimet financiare dhe t’i vazhdojë aktivitetet e saj operative.

Si arsye për këtë përmenden rastet në Arbitrazh me kompaninë “Dardafone”, obligimet ndaj Administratës Tatimore të Kosovës dhe humbjet.

“Të gjitha çështjet e listuara më lart janë tregues se ndërmarrja ka pasiguri të shumta me parimin e vijimësisë, respektivisht nuk është e sigurt nëse mund t’i përballoj këto obligime dhe t’i vazhdoj aktivitetet e saj operative”, thuhet në raportin e Auditorit.

Më poshtë gjeni pikat, ku Auditori është bazuar për këtë përfundim:

(a) Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 07.02.2022 kishte aprovuar ankesën e Telekomit të Kosovës, duke anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, më të cilin ishte shpallur i ekzekutueshëm vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (GJNA) i datës 09.12.2016 që obligoi Telekomin e Kosovës Sh.a të paguaj dëmshpërblim ndaj Dardafon vlerën prej 31,178,920€. Përveç tjerash, Telekomi kishte kërkuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurimit për pezullimin e përmbarimit, mirëpo gjykata nuk kishte vendosur lidhur me ketë kërkesë duke deklaruar që i mbetet gjykatës së shkallës se parë të vendos lidhur propozimin në fjalë. Gjykata e shkallës së parë deri në kohen sa ne ishim në proces të auditimit, akoma nuk kishte caktuar seancën e shqyrtimit në rigjykim. Deri në fund të vitit 2021 borxhi i mbetur ndaj Dardafon në bazë të vendimit të GJNA ishte 8,808,128€.

(b) Dardafon, në vitin 2019, kishte iniciuar një arbitrazh të dytë ndaj ndërmarrjes. Vlera e kërkesë padisë sipas Dardafon ishte rreth 50,000,000€ dhe i referohet mos vazhdimit të Marrëveshjes Bazë për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORMV) dhe mos ofrimit të disa shërbimeve gjatë periudhës së Marrëveshjes. Në bazë të kësaj, Gjykata e Arbitrazhit me datë 18.02.2022 kishte vendosur në favor të Dardafon dhe borxhi që duhet të paguaj Telekomi i Kosovës sipas këtij vendimi është 13,466,089€ përfshirë kamatat ndëshkuese. Kjo rëndon edhe më tej gjendjen e vështirë financiare të Ndërmarrjes, ku rrjedha neto e parasë vazhdon të jetë negative edhe për vitin 2022.

(c) Obligimet ndaj ATK-së në fund të vitit kanë arritur në shumën 12,727,748€.

(d) Aktiviteti kryesor i biznesit të ndërmarrjes është i mbështetur në teknologji informative. Gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese vazhdon të jetë e rëndë. Për shumicën e sistemeve nuk ka kontrata aktive të mirëmbajtjes/përkrahjes teknike nga prodhuesi. Sipas vlerësimeve të zyrtarëve të ndërmarrjes, projektet investive të domosdoshme kapin shumën 19 milionë euro.

(e) Ndërmarrja ka pësuar humbje për vitin që përfundon me 31 dhjetor 2021 në vlerë prej 10,829,000€. (2020: 18,727,000€. Ndërmarrja e ka vazhduar trendin e operimit me humbje për shtatë (7) vite me radhë dhe humbjet e akumuluara deri me 31 dhjetor 2021 janë në vlerë 76,264,000€. Përveç kësaj, me 31 dhjetor 2021 detyrimet rrjedhëse tejkalojnë pasuritë aktuale për shumën prej 52,605,000€ (2020: 66,233,000€).

(f) Treguesit kyç financiar të përllogaritur në shifrat e pasqyrave financiare të vitit 2021, janë negativ.

Të gjitha çështjet e listuara më lart janë tregues se ndërmarrja ka pasiguri të shumta me parimin e vijimësisë, respektivisht nuk është e sigurt nëse mund t’i përballoj këto obligime dhe t’i vazhdoj aktivitetet e saj operative.

(Kosova Sot Online)