Polici Mërgim Geci akoma në spital, refuzon të tregojë se si ndodhi plagosja

  • A.P /
  • 05 July 2022 - 16:35
Polici Mërgim Geci akoma në spital, refuzon të tregojë se si ndodhi plagosja

Në QKUK po vazhdon trajtimi i policit nga Skenderaj, Mërgim Geci, i cili u plagos gjatë kryerjes së detyrës zyrtare pas një përleshje me ish-deputetin Nuredin Lushtaku dhe dy familjarë të tij.

Gjendja e policit është stabile, edhe pse ai ende po merr trajtim mjekësor në spital. Kështu tha, vetë Geci, i cili nuk panoi të flasë për situatën e krijuar të shtunën e kaluar.

“Po jam më mirë. Ende jam i shtrirë në spital. Për këto nuk kam koment, kontaktone zyrën për media në Skenderaj”, tha shkurt Geci për Insajderin.

Sipas mjekës kujdestare në Klinikën e Ortopedisë, Vjosa Binqe, gjendja e pacientit të plagosur në këmbë është stabile dhe po merr trajtimin e duhur.

“Polici ka arritur është pranuar në ora 3:28 domethënë në mëngjes, gjendja e tij është stabile, analizat janë në normë, sa i përket lëndimit, ka pësuar lëndim në shputën e majtë, domethënë është një plagë tejshpuese me armë zjarri, është trajtuar, është vendos imobilizimi me gips, është dhënë terapia e cila jepet për këtë gjendje, antibiotikë, mbrojtje antitetanike, analgjetikë, për momentin gjendja e tij është stabile dhe nuk ka ndonjë pengesë”, tha ajo 

Tashmë, Nuredin Lushtaku dhe dy familjarët e tij gjenden në paraburgim, pasi dje Gjykata e aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

(Kosova Sot Online)