Latifi: Radojiçiq dikur endej i lirë e hynte në institucione, tash maleve si kaçak

  • E.K /
  • 06 July 2022 - 13:49
Latifi: Radojiçiq dikur endej i lirë e hynte në institucione, tash maleve si kaçak

Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi, e ka komentuar videon që ka publikuar Milan Radojciq nga veriu i Kosovës.

Ai ka thënë se dikur Radojciq endej i lirë dhe pritej në institucione kurse tash del maleve sikur kaçak.

“Dikur Milan Radojçiq endej në mënyrë krejt të lirë nëpër Kosovë. Madje hynte edhe në institucionet e saj. Sot ka ardhë puna që del sipër maleve në Veri, bën video si një kaçak dhe porsi kaçak zhduket përsëri. Videoja e tij e djeshme më shumë se kërcënim për Kosovën, është kërcënim për serbët e veriut që të mos guxojnë të tentojnë të dalin nga vija e Beogradit”, ka shkruar ai.

Latifi ka thënë se lista e zezë e ShBA-së duhet të zgjerohet.

““Lista e zezë e amerikanëve”, në fakt, është listë e bardhë për njerëzit që duan të bëjnë jetë normale, pa frikën e banditëve të veshur me pushtet politik dhe ekonomik. Si e tillë kjo listë është mirë të zgjerohet edhe më tutje. Sepse banditokracia ka rrënjë të thella dhe të shumëfishta këndej pari”, ka thënë ai.

Radoiçiq i është drejtuar publikut përmes një video-mesazhi nga rrethina e Leposaviqit, që është një nga katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Në këtë video, ai tha se “terrori mbi popullatën serbe ka nisur”.

“Popullit tim në veri dhe të gjithë serbëve dua vetëm t’iu them, por edhe atyre të tjerëve, këtu jam, jam kthyer, dhe ju e dini se çfarë do të thotë kjo. Sepse nga këtu nuk ka kthim. Rroftë Serbia”, shtoi Radoiçiq.

(Kosova Sot Online)