Zyba për Radojçiqin: Nga pritjet në qeveri, te shfaqjet si ilegal nëpër male

  • E.K /
  • 06 July 2022 - 14:26
Zyba për Radojçiqin: Nga pritjet në qeveri, te shfaqjet si ilegal nëpër male

Deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba, ka folur për videon e Milan Radojçiqit, i cili tha se ka ardhur në Kosovë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar: “Prej takimeve e pritjeve formale në Qeverinë e Kosovës te shfaqjet prej ilegali nëpër male, kjo, po që flet shumë”.

Siç duket ky postim është një thumb për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili një herë e pati pritur Radojçiqin në zyrën e tij sa ishte kryeministër.

Nënkryetari i Listës Serbe, përmes një videomesazhi, dje ka thënë se është kthyer në Kosovë, madje tha se nuk do të zmbrapset.

“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq dje nga Leposaviqi.

Kujtojmë që Radojçiq dyshohet për “frikësim të dëshmitarëve gjatë procedurës penale” për rastin “Brezovica”. Ai poashtu ka qenë i dyshuar edhe për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, por fletëarresti për këtë ishte tërhequr në vitin 2021. 

(Kosova Sot Online)