Krasniqi: Qeveria merr vendim për ujin në kafeteri, ndërkaq nuk u siguron ujë të pijes shumë zonave në Kosovë

  • A.P /
  • 06 July 2022 - 19:09
Krasniqi: Qeveria merr vendim për ujin në kafeteri, ndërkaq nuk u siguron ujë të pijes shumë zonave në Kosovë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Komunën e Drenasit, ku është pritur nga Kryetari Ramiz Lladrovci.

Gjatë kësaj vizite, Kryetari Krasniqi dhe Kryetari Lladrovci kanë vizituar disa projekte të cilat janë në zhvillim e sipër në Komunën e Drenasit me buxhet vetanak të Komunës.

Në Drenas, Kryetari Krasniqi ka thënë se është jashtëzakonisht i lumtur me punën, angazhimin dhe performancën e Kryetarit Lladrovci dhe ekipit të tij, diçka që tashmë është njohur dhe vlerësuar radhazi si më e mira edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“Në vazhdën e vizitave të mija nëpër komunat e Kosovës, sot kisha kënaqësinë që të vizitoj Drenasin. Së bashku me Kryetarin Lladrovci kishim takime dhe diskutime të shumta, por edhe vizita të projekteve të cilat tashmë janë duke u zbatuar. E përgëzoj Kryetarin Lladrovci dhe ekipin e tij për këto projekte, përkundër sfidave që i kanë. Posaçërisht nga mungesa e mbështetjes nga Qeveria qendrore.”, ka thënë Kryetari Krasniqi.

Lideri i PDK-së tha se të gjitha këto punime të cilat i kanë vizituar, janë punime që janë bërë me buxhetin e komunës dhe me grantin e performancës së mirë që është fituar nga Kryetari Lladrovci në të kaluarën dhe tash.

Sipas Krasniqit, ky është problemi që evidentohet në çdo komunë, çdo ditë, në secilën vizitë.

“Është e domosdoshme që të ndryshojë qasja e kësaj Qeverie karshi Komunave të Kosovës, sepse ato janë dera e parë e qytetarëve tanë. Për të përmiërsuar shërbimet dhe mirëqenien e tyre, Qeveria duhet të ndihmojë komunat me mjete shtesë. Ju e patë që kanë projekte tejet të rëndësishme, urat të cilat e lehtësojnë qarkullimin e fëmijëve dhe të gjithë njerëzve. Ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza, projekt që nuk e ka mbështetur kjo Qeveri. Po ashtu edhe projekti që ndërlidhet me ujësjellësin. Kur jemi te uij, si një nevojë bazike, përderisa Qeveria e Kosovës merr vendime që të obligojë gastronomët që tu shërbejë ujë nga kroji qytetarëve që pijnë kafe, në anën tjetër, këtu në Drenas, e njëjta Qeveri, nuk është duke u ndihmuar qytetarëve që të kenë furnizim me ujë të pijshëm. Një pjesë e madhe e fshatrave të kësaj komune e kanë këtë problem në baza ditore.”, ka thënë Kryetari Memli Krasniqi.

(Kosova Sot Online)