20-vjeçari që ishte në autoambulancën që u aksidentua në Gjakovë ende në gjendje të rëndë

  • A.P /
  • 07 July 2022 - 15:33
20-vjeçari që ishte në autoambulancën që u aksidentua në Gjakovë ende në gjendje të rëndë

Më 30 qershor në Gjakovë, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku, ku u përfshinë autoambulanca dhe një veturë e tipit Golf. Si pasojë e përplasjes kanë vdekur dy persona – shoferi i autoambulancës, Skofiar Gjini dhe mjeku i QKMF-së në Gjakovë, Mentor Salihi.

Në këtë aksident është përfshirë edhe një 20-vjeçar, i cili ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe po vazhdon trajtimin mjekësor në Klinikën Intensive në QKUK.

Gjendja e tij është ende në rrezik për jetë. Kështu tha, shefi i Intensivës, Shaqir Uka.

“Pacienti është ende në gjendje shumë të rëndë. Kryesisht, lëndime ka në pjesën e kokës dhe gjoksit”, tha Uka.

Media ka publikuar edhe pamjet e momentit kur ndodh aksidenti, që përfundoi me dy viktima.

Lidhur me rastin, ka dhënë detaje edhe Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.

“Rr. Pashko Vasa, Gjakovë 30.06.2022 – 05:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se derisa kishte qenë duke e drejtuar veturën, nga pakujdesia  ka shkaktuar aksident me një autoambulancë e cila ka qenë duke i transportuar  disa persona të lënduar nga një vetaksident. Si pasojë e aksidentit pesë persona të gjithë meshkuj kosovarë kanë pësuar lëndime trupore për të cilat kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa njëri nga të lënduarit ka ndërruar jetë, me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, kurse i dyshuari që ka shkaktuar aksidentin me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

(Kosova Sot Online)