“Probleme me sigurinë”, si mund të qëllohej ish-kryeministri japonez në një distancë të vogël?

  • E.K /
  • 09 July 2022 - 15:13
“Probleme me sigurinë”, si mund të qëllohej ish-kryeministri japonez në një distancë të vogël?

Një shef policie në qytetin ku u qëllua për vdekje ish-kryeministri japonez Shinzo Abe tha se “nuk mund të mohojë se kishte probleme” me sigurinë e Abes.

Tomoaki Onizuka, shefi i policisë në komunën e Naras, tha në një konferencë për shtyp të shtunën se autoritetet po shqyrtojnë se çfarë shkoi keq që erdhi deri te vrasja e tij, shkruan CNN.

Fakti që një ish-kryeministër mund të qëllohej për vdekje nga një distancë e afërt derisa po mbante një fjalim në mes të ditës në një vend me shkallën më të ulët të krimit me armë në botë, ka tronditur Japoninë dhe ka bërë jehonë në mbarë botën.

Abe, 67 vjeçar, vdiq më shumë se pesë orë pasi u qëllua teksa mbante një fjalim fushate përpara një turme të vogël në një rrugë.

Në kohën e të shtënave, Abe po fliste në mbështetje të kandidatëve të Partisë Liberale Demokratike (LDP).

Pavarësisht dorëheqjes si kryeministër i Japonisë në vitin 2020 për arsye shëndetësore, Abe mbeti një figurë me ndikim në peizazhin politik të vendit dhe vazhdoi të bënte fushatë për LDP-në.

(Kosova Sot Online)