Arrestohet shoferi i kamionit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në rrugën Zhur-Prizren

  • E.K /
  • 12 July 2022 - 14:15
Arrestohet shoferi i kamionit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në rrugën Zhur-Prizren

Një aksident trafiku ka ndodhur sot në Zhur të Prizrenit, ku një person vdiq dhe dy të tjerë u lënduan rëndë, të cilët u dërguan në QKUK për trajtim mjekësor.

Lidhur me këtë aksident, është arrestuar shoferi i kamionit, i cili tashmë është dërguar në ndalim policor. Kështu tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Fitore Mehmeti.

Ajo tha se i dyshuari, me inicialet B.K është ndaluar për 48 orë dhe dyshohet që ka kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm me urdhër të prokurorit ka ndaluar për 48 orë vozitësin e kamionit, përkatësisht personin me inicialet B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 370, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha Mehmeti.

Ndërsa, udhëheqësi i zyrës së operativës në policinë e Prizrenit, Azem Baraliu tha se aksidenti ka ndodhur kur njëra prej automjeteve ka dalë në shiritin e kundërt dhe janë goditur drejtpërdrejtë.

(Kosova Sot Online)