“Duhet shumë punë”, ish-këshilltari i Trump zbulon se ka ndihmuar puçet në vende të tjera

  • G.G /
  • 13 July 2022 - 13:14
“Duhet shumë punë”, ish-këshilltari i Trump zbulon se ka ndihmuar puçet në vende të tjera

John Bolton, i cili pati një sërë rolesh kryesore qeveritare në shumë administrata republikane të SHBA-së, ka treguar se ka ndihmuar në planifikimin e grusht-shteteve nëpër vendet e tjera.

Këto deklarata ai i tha në një bisedë për CNN me gazetarin Jake Tapper. Ata dy ishin duke diskutuar përpjekjet e paprecedentë të ish-presidentit Donald Trump për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Bolton, i cili shërbeu si këshilltar i sigurisë kombëtare në administratën Trump nga viti 2018 deri në 2019, i tha Tapper se veprimet e Trumpit për të rrëzuar rezultatin e zgjedhjeve nuk duhet të mbrohen. Megjithatë, ai mohoi se këto veprime ishin pjesë e synimit për grusht-shtet. Në këtë rast, Bolton e portretizoi ish-presidentin amerikan si shumë të paaftë për t’u përfshirë në një plan të tillë, duke deklaruar se Trump nuk ishte “i aftë” të organizonte një grusht-shteti sepse një veprim i tillë kërkon “mendim paraprak, planifikim, strategji, ndërtim të përkrahjes”.

Këtu gazetari Tapper i tha Boltonit se nuk ishte dakord me këtë deklaratë meqë “një person nuk duhet të jetë i shkëlqyer për të tentuar një grusht-shteti”.

“Unë nuk jam dakord me këtë”, tha Bolton në përgjigje, duke shtuar: “Si dikush që ka ndihmuar në planifikimin e grusht-shteteve, jo këtu, por në vende të tjera, duhet shumë punë”.

Tapper më pas e pyeti Boltonin nëse mund të ofronte më shumë detaje mbi këto grusht-shtete që ai siç duket ka planifikuar. Bolton refuzoi të ofrojë detaje përveç një aludimi që fliste për një grusht-shteti të dështuar të vitit 2019 në Venezuelë.

Bolton shihet gjerësisht si një skifter i politikës së jashtme dhe ithtar i ndryshimit të regjimit dhe konsiderohet si një nga arkitektët kryesorë të pushtimit të Irakut në vitin 2003.

(Kosova Sot Online)