Prokuroria në Prishtinë tregon pse e ftuan për intervistim ish-prokuroren e Eulex-it

  • E.K /
  • 16 July 2022 - 16:19
Prokuroria në Prishtinë tregon pse e ftuan për intervistim ish-prokuroren e Eulex-it

Ish-prokurorja e EULEX-it në Kosovë, Maria Bamieh, e cila kishte sinjalizuar për korrupsion brenda këtij misioni, sot ka mbajtur një konferencë për media në Prishtinë.

Ajo ka folur për përfshirjen e zyrtarëve të EULEX-it në afera për mbylljen e rastit penal kundër Ilir Tolajt dhe për rastin e shpërthimit në lokalin “Sekiraça” , ndërsa menjëherë pas përfundimit të konferencës, ajo mori ftesë për intervistim nga Prokuroria në Prishtinë.

Bamieh këtë e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku tha se do të bashkëpunojë plotësisht më autoritetet kosovare.

“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadikaj nën dyshimin që kam kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare”, ka shkruar Bamieh në Facebook.

Media ka kontaktuar me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për të kuptuar arsyet e kësaj ftese. Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj, tha se ftesa është bërë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës së Bamieh viteve të kaluara.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të pamundësisë për sigurimin e deklaratës nga znj. Maria Bamieh viteve të kaluara, i ka bërë ftesë për intervistim të njëjtës, pas zhvillimit të konferencës së sotme”, ka thënë Ulaj.

(Kosova Sot Online)