Kurti do t’i presë në zyrë policët e lënduar në veri: Më lejoni të mos flas hollësi të tjera këtu
Kryeministri Albin Kurti do t’i presë në zyrën e tij në Qeveri pesë policët e lënduar që po tentonin ta ndalonin një kamion të dyshuar për kontrabandim mallrash në Leposaviq.
Kurti tha në një konferencë për media se shpreson që edhe hallkat tjera të drejtësisë të jenë në nivel të detyrës sikur policia.
“Ndërkaq sa i përket policëve tanë, i kemi 5 të lënduar në veri të Kosovës duke e luftuar kontrabandën, krimin e organizuar. Unë mund të shpreh vetëm falënderimin dhe mirënjohjen time të madhe për trimërinë dhe profesionalizmin e tyre, por në të njëjtën kohë shpresoj e uroj që edhe hallkat tjera të sistemit të drejtësisë të jenë në nivel të detyrës në mënyrë që të mos na përsëriten rastet e tilla”, tha ai.
Kurti tha se nuk mund të japë më shumë hollësia nga selia e Vetëvendosjes.
“Për sot kam caktuar që t’i pres pasdite në orën 17:00 policët e lënduar në zyrën e kryeministrit dhe më lejoni që të mos flas hollësi të tjera nga kjo zyre ku jemi tani, sepse këtu jam në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes dhe theksi i kësaj konference janë zgjedhjet e brendshme në subjektin tonë politik”, tha ai.
(Kosova Sot Online)
