Haradinaj kujton vendimin e GJND-së: S’na përçan ëndrra e kamotshme e Kosovës Republikë

  • E.K /
  • 22 July 2022 - 11:52
Haradinaj kujton vendimin e GJND-së: S’na përçan ëndrra e kamotshme e Kosovës Republikë

Sot u bënë 12 vjet nga që kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka shpallë vendimin këshillëdhënës, sipas të cilit shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare.

Këtë datë e ka kujtuar kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur se jetësimi i idealit më 17 Shkurt, u vulos me drejtësi mbi shtetin sovran të Kosovës më 22 Korrik 2010.

Haradinaj tha se rruga deri tek liria ka qenë e gjatë dhe me shumë sakrifica, duke shtuar se ende nevojitet angazhim për një shtet me dinjitet e shpresë për të tashmen dhe të ardhmen. 

“Kosovës ja kemi borxh që ta rreshtojmë krah vlerave perëndimore me miqtë e aleatët tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Promovimi i shtetit tonë, vlerave, kulturës, historisë është obligim i secilit prej nesh”, tha Haradinaj.

“Aty ku na ndan politika, nuk na përçan ëndrra e kamotshme e Kosovës Republikë. Jemi bashkë në këtë rrugë. Zoti e bekoftë Kosovën!”, përfundoi Haradinaj.

(Kosova Sot Online)