Morën 13 mijë euro gjobë, Gërvalla thotë se s’kishin kapacitet për t’i dhënë shpenzimet e Prindon Sadriut

  • E.K /
  • 26 July 2022 - 12:10
Morën 13 mijë euro gjobë, Gërvalla thotë se s’kishin kapacitet për t’i dhënë shpenzimet e Prindon Sadriut

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha se s’kishin kapacitet që t’i ndarë shpenzimet individuale të Prindon Sadriut, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, kur ato ia kërkuan mediat.

Agjencia për Informim dhe Privatësi e dënoi me 13 mijë euro MPJ-në pasi nuk kishin ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit Prindon Sadriu gjatë periudhës shkurt 2019- shkurt 2022.

Për këtë, Gërvalla tha në një konferencë për media se duhet reformë në MPJ që të kenë staf të mjaftueshëm për t’i narë shpenzimet individualisht.

“Sa i përket 13 mijë eurove… Gjoba e cila është shqiptuar.. mund t’ju them vetëm atë çështjen ashtu siç është. Ne kemi pasë një kërkesë për shpenzime individuale të një diplomati të caktuar. MPJ në sistemin e saj, shpenzimet e misioneve i ka si shpenzime të misioneve, nuk i ka të ndara individualisht. Nuk e kemi kapacitetin sa i përket personelit momentalisht dhe prandaj edhe reforma në këtë institucion është edhe më e nevojshme, që të ndajmë shpenzimet veç e veç”, tha ajo.

Gërvalla tha se ka marrë vendim që të publikohen të gjitha shpenzimet, por nuk siguroi nëse ato do të jenë të ndara individualisht.

“Shpenzimet sa i përket misionit janë në dispozicion. Nuk ka asnjë… Vendimi nga ana e sekretarit është marrë kohë më parë që të përgatiten shpenzimet, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit me qëllim që të sigurojmë një transparencë. Jemi në aspektin e realizimit teknik. Vendimi politik është marrë për publikimin e tyre”, tha kryediplomatja.

“Janë shpenzime të arsyeshme dhe paranë publike jo që vetëm nuk e shpërdërojmë, por e menaxhojmë me shumë kujdes dhe me shumë fanatizëm”, shtoi ajo.

Me 3 mijë euro, MPJ është gjobitur për shkak të moszbatimit të vendimit Nr A-272/2022 për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike.

Ndërsa me 10 mijë euro është gjobitur për moszbatimin e vendimit Nr A-272/2022 dhe për pamundësimin e realizimit të së drejtës për qasje në dokumente publike.

(Kosova Sot Online)