Çfarë përfiton Kosova nga programi i MCC-së

  • E.K /
  • 26 July 2022 - 12:20
Çfarë përfiton Kosova nga programi i MCC-së

Kosova pritet të forcojë pavarësinë energjetike me Programin e ri Kompakt të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) dhe në të njëjtën kohë të kursejë miliona euro në vit.

Përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të MCC-së pritet të nënshkruajnë këtë javë në Uashington marrëveshjen për Programin Kompakt, në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, që përqendrohet në projekte të energjisë. Nënshkrimi do të bëhet në një ceremoni të organizuar në Kongresin amerikan, ku nga Kosova do të marrin pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Programi Kompakt përbëhet prej dy projektesh dhe konsiderohet si investimi më i madh i Qeverisë amerikane në Kosovë.

MCC-ja mëton që me këtë program të ulë varfërinë në Kosovë përmes rritjes ekonomike, pasi vlerësohet se furnizimi jo i qëndrueshëm energjetik e pengon rritjen ekonomike.

Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës.

Sipas drejtoreshës së MCC-së për Kosovën, Sarah Olmstead, prokurimi i parë për projektet e Programit Kompakt pritet të nisë pas dy vjetësh.

Pas nënshkrimit të Programit Kompakt, Kuvendi i Kosovës duhet të ratifikojë këtë marrëveshje ndërkombëtare me dy të tretat e votave.

Por, çfarë përfitimesh konkrete do të ketë Kosova nga ky program?

Rezerva të energjisë përmes baterive

Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i Ruajtjes së Energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

Kjo nënkupton që rryma e prodhuar në kohë të caktuar, të mund të akumulohet, në mënyrë që të shfrytëzohet në orët e ditës, kur kërkesa për energji, por edhe çmimet janë më të larta.

Përmes baterive mëtohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.

Po ashtu, në nivel të Programit Kompakt, afër 1.8 milion persona pritet të përfitojnë nga investimi i MCC-së. Ky vlerësim bazohet në Projektin për Ruajtjen e Energjisë, që mëton t’i mbulojë të gjitha familjet që janë të lidhura me rrjetin elektrik – zyrtarisht raportohet se janë 100 për qind e amvisërive të Kosovës.

Gjatë sezonit të dimrit, kur rritet kërkesa për energji elektrike, konsumatorët shpenzojnë deri në 1.300 megavate në ditë, ndërkaq kapaciteti i prodhimit të dy termocentraleve në Obiliq, Kosovës A dhe B, arrin deri në 800 megavate. Pjesa tjetër e kërkesës për energji mbulohet nga importi.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë ka thënë se më 2021, vendi ka importuar 1.311.461 megavate rrymë.

Sipas MCC-së, Projekti i Ruajtjes së Energjisë synon që të mbështesë sigurinë energjetike, por edhe që Kosova të kalojë në energjinë e pastër.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, ka deklaruar më 5 korrik se Kosova do të kursejë të paktën 15 milionë euro në vit nga Programi i ri Kompakt i MCC-së.

Sipas vlerësimeve të MCC-së, norma e brendshme e kthimit të këtij projekti pritet të jetë 8.7 për qind.

Norma e brendshme e kthimit tregon për përfitimet ekonomike të një projekti krahasuar me koston e tij.

Po ashtu, nga ky projekt, MCC-ja vlerëson se mund të ketë edhe përfitime të tjera, të tilla si kursimet për shërbimet e mundshme shtesë, rregullimin e tensionit të rrymës, por edhe ajër më të pastër.

Projekti për fuqizimin e grave në sektorin e energjisë

Në kuadër të Kompaktit është edhe projekti për Përshpejtimin e Drejtë të Tranzicionit (JETA) që ka dy objektiva parësore: të nxjerrë të diplomuar, të cilët mund të punësohen në sektorin e energjisë apo sektorë të ngjashëm, si dhe të rrisë numrin e grave të punësuara në sektorin e energjisë, të cilat marrin pjesë në Aktivitetin Gjithëpërfshirës të Fuqisë Punëtore në Sektorin e Energjisë.

Kjo pritet të lehtësojë tranzicionin e energjisë të udhëhequr nga Qeveria e Kosovës, duke krijuar mundësinë që gratë që fitojnë shkathtësitë e kërkuara, të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë dhe, në këtë mënyrë, të rritet edhe përfaqësimi i tyre në këtë sektor.

Sipas MCC-së, në Kosovë niveli i punësimit të grave është 14.1 për qind, që është një prej përqindjeve më të ulëta në rajon dhe botë. Ndërkaq, gratë afariste përbëjnë vetëm dhjetë për qind, krahasuar me 33 për qind të nivelit të afaristeve gra në botë dhe rajon.

Projekti i Katalizatorit për Zhvillim

Në kuadër të Programit Kompakt do të përfshihet edhe Projekti i institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim (AFDC). Ky projekt është dizajnuar që të mundësojë shfrytëzimin e fondeve nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC), për të mbështetur investimet private në sektorin e energjisë në Kosovë, por edhe qëllimet e MCC-së në sektorin e energjisë.

Fondet e MCC-së do të përdoren për të hequr rrezikun e investimeve të DFC-së në sektorin privat, teksa DFC-ja do të jetë përgjegjëse që t’i mbikëqyrë investimet.

Në koordinim mes MCC-së, DFC-së dhe Qeverisë së Kosovës, përmes këtij projekti synohet që, po ashtu, të identifikohen edhe investime të tjera të mundshme në Kosovë.

Kosova, e cila vitin e fundit është prekur nga kriza energjetike që përfshiu Evropën, prodhon mbi 90 për qind të rrymës nga mihja e thëngjillit dhe nxjerrja e linjitit. Ndërsa, pjesa tjetër e energjisë elektrike prodhohet nga burime të ripërtërishme, sikurse hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore. /REL

(Kosova Sot Online)