Grupi që kërkon lejimin e shamisë vërshon me komente në postimin e Ministres Nagavci

  • G.G /
  • 10 August 2022 - 11:25
Grupi që kërkon lejimin e shamisë vërshon me komente në postimin e Ministres Nagavci

Fushata me kërkesën për ndryshimin e udhëzimit administrativ për çështjen e shamisë në shkolla është bërë trend në Facebook.

Në çdo postim të kryeministrit Albin Kurti dhe ministres Arbërie Nagavci, në pak minuta bëhen mijëra komente me hashtagun “ndryshojeni_ua_per_shaminë”.

Ministrja Nagavci ua ka hequr mundësinë për komentim ‘ushtrisë së shamisë’, ndërsa këta e kanë gjetur një tjetër mënyrë për të reaguar.

Në pamundësi për të komentuar, ata tani po reagojnë me “haha” në postimet e ministres në Facebook. Në postimin e fundit të Nagavcit, 979 persona reaguan kështu.

Postimi i fundit i ministres Nagavci ku lejohen komentet, i ka marrë 2 mijë e 700 komente, shumica dërmuese e tyre me kërkesën për ndryshimin e udhëzimit administrativ.

Që nga viti 2014 ekziston një udhëzim administrativ i Ministrisë së Arsimit që ndalon bartjen e shamisë në shkolla. Ai aktualisht nuk zbatohet në tërësi si akt, por tashmë është shtrirë gjerësisht kërkesa që ai të ndryshohet dhe ajo pikë mos të ekzistojë fare.

Para pak ditësh, edhe kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava i është drejtuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me kërkesën për shfuqizimin e këtij akti nënligjor.

(Kosova Sot Online)