Vazhdon propaganda nxitëse e Serbisë: “Kurti ka përpiluar listën e serbëve që duhen vrarë!”

  • G.G /
  • 13 August 2022 - 09:45
Vazhdon propaganda nxitëse e Serbisë: “Kurti ka përpiluar listën e serbëve që duhen vrarë!”

Autoritetet dhe mediat serbe nuk po ndalen me deklarata të çmendura që kanë të bëjnë me Kosovë, duke bërë propaganda nga më të ndryshmet kundër udhëheqësve të Republikës së Kosovës. Më e fundit është ajo se kinse shërbimet e sigurisë serbe kanë marrë informacione që tregojnë se kryeministri i Kosovës po planifikon realisht likuidimin e përfaqësuesve politikë serbë, por edhe të qytetarëve të shquar që në komunitetet e tyre njihen si shtylla të mbijetesës serbe në Kosovë.

Sipas tyre, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, me muaj të tërë po përpiqet të kriminalizojë popullin serb në Kosovë për t’i siguruar vetes një alibi për inkursione të armatosura dhe likuidime të atyre serbëve që janë udhëheqës të luftës për mbijetesën e popullit në serb në Kosovë.

Sipas të dhënave të inteligjencës, objektiv janë disa politikanë serbë, mjekë, avokatë dhe disa biznesmenë të tjerë nga Kosova. Pikërisht për këtë dyshja prishtinase Kurti-Sveçla po përhapin histori se në veri jetojnë kriminelë të cilët duhet të arrestohen dhe të futen në qelitë e burgut.

Të vetëdijshëm për rrezikun ndaj popullit të tyre, dhjetë kryetarë serbë nga Kosova dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një deklaratë të përbashkët kanë sqaruar synimet e Kurtit dhe Sveçlës.

“Fakti që për ju çdo serb është kriminel, kurse veriu është El Dorado, tregon qartë se jeni të mbushur me urrejtje dhe dëshirë për ta kthyer veriun në një vend konflikti. Nuk do të keni sukses sepse nuk do ta lejojnë as serbët e as shqiptarët, sepse nuk do të pranojnë të vuajnë për të fituar pikë të lira politike”, tha Goran Rakiq.

Vladan Bogdanoviq, kryetari i komunës së Kllokotit, tha se “serbët nga Kurti sulmohen dhe ngacmohen çdo ditë, akuzohen rrejshëm dhe se ministri i Punëve të Brendshme bën deklarata në të cilat i kriminalizon serbët”.

“Deklaratat e tilla të Prishtinës, veçanërisht të ministrit të Policisë, shkaktojnë trazira në popullin serb dhe frikë të pa maskuar për të ardhmen në këto zona”, tha Bogdanoviq.

Oficeri i kundërzbulimit Ljuban Karan thotë se informacionet që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndau me qytetarët, “që kanë të bëjnë me faktin se po përgatiten likuidimet e serbëve në Kosovë, duhet të merren seriozisht sepse janë të bazuara në informacionet e shërbimeve të inteligjencës. Karan shton se në shënjestër janë figurat politike serbe, por edhe qytetarët”.

“Në shënjestër janë figurat politike që përfaqësojnë një shtyllë të rezistencës së organizuar serbe. Prishtina e di se cilët janë njerëzit që janë të vendosur për të mbrojtur mbijetesën e popullit deri në fund. Çdo vendbanim zakonisht ka një person në autoritet, kështu që këta njerëz janë gjithashtu objektiva të mundshëm”, tha Karan.

Duke shpjeguar se çfarë do të merrte Kurti me eliminimin e liderëve serbë në Kosovë, Karan thotë se atëherë do të kishte kaos dhe eksod të popullit serb.

“Duke eliminuar liderët politikë serbë, Kurti do ta pamundësonte popullin serb dhe do ta eliminonte rezistencën e tij të organizuar. Në një situatë të tillë, populli do ta kishte më të lehtë të lëvizte dhe të largohej nga vatrat e tij, do të kishte një tjetër eksod të serbëve nga Kosova”, tha Karan, i cili kujtoi se Prishtina ka snajperë modernë që i kanë marrë nga mentorët e tyre, por edhe ka trajnuar snajperistë në radhët e saj që mund të eliminojnë kë të duan nga një distancë e largët.

“Udhëheqësit politikë serbë në Kosovë nuk janë persona të mbrojtur, nuk ruhen nga shërbimet e sigurisë atje dhe janë objektiv i lehtë për formacionet e organizuara paraushtarake. Ata janë objektiva të lehtë edhe në pritje, sulme të drejtpërdrejta, automjetet e tyre nuk ruhen nga askush, kështu që janë shumë të arritshme për vendosjen e eksplozivëve”, paralajmëroi Karan.

(Kosova Sot Online)