Rrëmbimi i 18-vjeçares në Mitrovicë, Gjykata merr vendim për 34-vjeçarin që dyshohet se e dhunoi muaj më parë

  • G.G /
  • 15 August 2022 - 08:24
Rrëmbimi i 18-vjeçares në Mitrovicë, Gjykata merr vendim për 34-vjeçarin që dyshohet se e dhunoi muaj më parë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka parashtruar kërkesë në Gjykatën kompetente për caktimin e masës së sigurisë ndaj 34-vjeçarit, Berat Musliu, i cili u arrestua nën dyshimet se në bashkëkryerje me Hajdin Musliun dhe Gentian Balajn, kanë rrëmbyer dhe torturuar për orë të tëra një 18-vjeçare, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se Musliu, i cili përpos veprës penale ‘Rrëmbim”, po hetohet edhe për veprën ‘Dhunim’, dje ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, me ç’rast i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas njoftimit të Policisë, 34-vjeçari Musliu dyshohet se në muajin mars e ka dhunuar vajzën e re, mirëpo rasti nuk është denoncuar.

Kujtojmë se e gjithë ngjarja ka ndodhur të premten në Mitrovicë, ku Musliu, Balaj dhe Musliu dyshohet se me forcë kanë futur brenda veturës së tyre 18-vjeçaren, të cilën më pas e dërguan në një lokacion të panjohur ku kanë ushtruar dhunë ndaj saj.

Për shkak të lëndimeve të rënda, viktima është transportuar në Qendrën Klinike Universitare , ndërsa motivi i rrëmbimit akoma nuk dihet, por detajet që u kuptuan janë tronditëse.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)