Lajçak: Nuk pres dramë me 1 shtator, kemi dy muaj kohë të gjejmë zgjidhje për targat

  • E.K /
  • 30 August 2022 - 16:04
Lajçak: Nuk pres dramë me 1 shtator, kemi dy muaj kohë të gjejmë zgjidhje për targat

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, nga Sllovenia ka folur për çështjen e targave. Ai ka thënë se është një afat kohor prej dy muajsh dhe se beson që do të gjendet një zgjidhje, meqë janë propozuar edhe disa ide për hisedarët në dialog, raporton Euronews Serbia.

I pyetur për deklaratën e Vucic se nuk shpreson që do të gjendet një zgjidhje për punën e targave deri me 1 shtator, Lajcak ka thënë se nuk mendon që zgjidhja duhet të kërkohet me datë.

“Vendimi i Qeverisë në Kosovës është që procesi duhet të kompletohet deri në fund të tetorit. Kështu që kemi dy muaj kohë për të gjetur një zgjidhje. Ne tashmë jemi në proces. Kemi pasur diskutime me Vucicin dhe Kurtin për këtë temë. Ne ishim në telashe për çështjen e kartave të identitetit dhe letrave për hyrje-dalje. Sa për targat, ne kemi të paktën dy muaj kohë për ta zgjidhur, dhe unë besoj që do të gjejmë një zgjidhje”, ka thënë Lajcak për Euronews Serbia.

 I  pyetur se si e sheh punën e zgjidhjes së problemit të targave, ai ka thënë se nuk do të futet në detaje.

“Veçanërisht sepse ne kemi propozuar disa ide tek partnerët. Kështu që nuk do të ishte mirë për mua që t’i bëja publike ato. Do të doja të thosha se do të ishte vërtet më mirë, në vend që të zgjidhnim krizat, të mund t’i përkushtoheshim thelbit të procesit, normalizimit. Po njerëzit jetojnë normalisht, se nuk kanë nevojë të mendojnë se çfarë do të ndodhë nesër, pas një jave, në një muaj. Dhe besoj se do të arrijmë atje. Kemi pasur bisedën e parë mes dy liderëve para dy javësh në Bruksel për atë temë, dhe ajo bisedë tregoi se mund të bisedojnë edhe pse nuk pajtohen për shumë çështje” ka thënë emisari sllovak.

I pyetur nëse ajo periudhë dymujore është konfirmuar edhe nga Kosova, i dërguari special i BE-së ka potencuar shkurtimisht “Po, sigurisht”.

“Ajo fushatë regjistrimi fillon më 1 shtator dhe duhet të zgjasë dy muaj. Nuk pres ndonjë dramë më 1 shtator. Nuk ka arsye për këtë, ne kemi atë periudhë dy mujore për të gjetur një zgjidhje, siç e kemi gjetur në lidhje me kartat e identitetit”, ka thënë ndër të tjera Lajcak, duke potencuar se duhet qenë optimist.

(Kosova Sot Online)