Vazhdon operacioni “Gropa”, kapen edhe 50 kg heroinë në Doganaj të Ferizajt

  • E.K /
  • 31 August 2022 - 17:18
Vazhdon operacioni “Gropa”, kapen edhe 50 kg heroinë në Doganaj të Ferizajt

Disa muaj më parë policia kishte kapur mbi 67 kilogramë heroinë dhe ishin arrestuar 15 persona, prej tyre gjashtë shtetas turq dhe nëntë kosovarë.

Operacioni “Gropa” ishte realizuar më 23 maj në fshatin Doganaj të Ferizajt.

Ky operacion ka vazhduar edhe sot në po këtë fshat, ku janë kapur edhe 50 kilogramë të tjerë heroinë që dyshohet se është fshehur nga të dyshuarit.

Aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë.

“Sipas planit operacional janë realizuar dy kontrolle në fshatin Doganaj të Ferizajit, kontrolli i parë është kryer në një depo – punëtori, objekt përcjellës i shtëpisë së të dyshuarit V. N, ku nuk është gjetur asgjë e dyshuar”.

“Ndërsa kontrolli i dytë është kryer në një shtëpi të pabanuar, e demoluar, ku gjatë kontrollit janë gjetur dy thasë najloni, në brendësi të të cilëve kishte thasë të letrës, të mbushur me substancë pluhur, ngjyrë kafe, e dyshuar për narkotikë të llojit Heroinë”.

“Thasët dhe substanca janë të ngjashëm me ato të konfiskuara më datë 23.05.2022, në operacionin e koduar “GROPA”. Në vendin e ngjarjes ka dal prokurori kompetent dhe Krim-teknika e regjionit Ferizaj, të cilët kanë bërë administrimin e provave, përfshirë nxjerrjen e gjurmëve të mundshme latente, ku pas marrjes së mostrave, testi fushor rezulton pozitiv në OPIAT ( bazë e Heroinës)”.

“Në cilësinë të provave materiale, janë konfiskuar:

• Thes letre, ngjyrë kafe, e mbushur me substancë pluhur , ngjyrë kafe, e dyshuar për Heroinë ( bazë e Heroinës ), me peshë 25.40 kg.
• Thes letre, ngjyrë kafe, e mbushur me substancë pluhur, ngjyrë kafe, e dyshuar për Heroinë (bazë e Heroinës ), me peshë 25.50 kg”.

(Kosova Sot Online)