Kërkohet paraburgim për Donzin e Tik Tok-ut, së shpejti del para Gjykatës

  • G.G /
  • 02 September 2022 - 15:41
Kërkohet paraburgim për Donzin e Tik Tok-ut, së shpejti del para Gjykatës

Erdon Murati, i njohur në Tik Tok si ‘Donzi’ shumë shpejt pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, pasi që ndaj tij është ngritur kallëzim penal për veprën ‘Degradim i integritetit seksual’.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

‘Donzi’ u arrestua dje nga Policia e Gjilanit, pas publikimit të disa videove në rrjete sociale ku shihej duke biseduar me vajza të mitura me të cilat ka përdorur fjalor që i ka nxitur seksualisht.

 “I dyshuari është intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë dhe rasti me kallëzim penal ,,Degradim i integritetit seksual” procedohet për në Prokurorinë Themelore në Gjilan”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)