Çfarë pritet të ndodh në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

  • G.G /
  • 03 September 2022 - 11:53
Çfarë pritet të ndodh në seancën ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

Në nëntor bëhen dy vjet që kur ish-krerët e UÇK-së janë arrestuar nga Gjykata Speciale. Megjithatë, nisja e gjykimit duket ende larg. Pikërisht kjo çështje pritet të jetë një nga temat më të nxehta që do të diskutohet në seancën e radhës ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit. Seanca e parë pas pushimeve verore të Gjykatës Speciale.

Avokatë e njohës të çështjeve të Gjykatës Speciale, kanë pasur kritika për vonesat në nisjen e proceseve, fshehjen e provave shfajësuese si dhe mos-dorëzimin me kohë të provave.

Shpalosja e materialeve, hetimet e mbrojtjes dhe prokurorisë si dhe tema të tjera do të diskutohen në seancën e 14 statusore që është caktuar të mbahet të enjten, më 8 shtator.

Avokati i licensuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës në Kosovë, Skënder Musa, ka thënë se pret që në këtë seancë të ketë debate të ashpra nga mbrojtësit me Prokurorinë.

“Unë realisht kisha dashtë me pa një luftë të ashpër ligjore nga ana e avokatëve të Thacit dhe tjerëve, dhe përmbysje të plotë të asaj që po e thotë Prokuroria. Detyra e avokatit është që nëpërmjet provave dhe interpretimit të ligjit, ta mbrojë dhe ta citojë atë, ta mund prokurorinë që nuk ka prova, por që po vepron vetëm në bazë të letrave të pavlera politike që kanë shkuar nga Serbia, Rusia, Dick Marty, e qarqe të caktuara në Kosovë”, ka thënë avokati Musa.

Sipas avokatit Musa, vetëm me përplasje të forta kolegët e tij në Hagë, mund ta thyejnë Prokurorinë, që sipas tij, qëllimshëm po e vonon rastin.

“E nëse avokatët janë këmngëulës, mirënjohës dhe njohës të procedurave që padyshim se janë, duhet vullnet guxim dhe përplasje e madhe njësoj sikurse jemi mësuar të shohim. Nëse ata shkojnë në mënyrë të kulturuar, dhe zgjasin proceset, nuk ka ndonjë befasi. Nëse ka përplasje të vërtetë të inteprtetimeve ligjore dhe provave, atëherë mund të thyhet Prokurori i lëndës”, deklaroi më tutje Musa për gazetën Nacionale.

Në rastin kryesor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, po dyshohen për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe vepra të tjera për veprimtarinë e tyre në kohën sa e udhëhiqnin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Nevenka Tromp, ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit, njëherësh hulumtuese e Tribunalit të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi, ka pasur shumë kritika për Gjykatën Speciale. Në një intervistë që e realizoi gazeta Nacionale me të, ajo shprehu bindjen se asnjëri nga të akuzuarit në rastin kryesor, nuk do të dënohen.

Tromp ka folur edhe për provat e marra nga Beogradi, duke kërkuar që në seancat e radhës avokatët ta ngrisin si alarm.

“Por është sa e ndërlikuar aq edhe e rrezikshme, të mbështetesh në burimet e ofruara nga një palë shumë e rëndësishme në konflikt. Ky prokuror dhe kjo gjykatë nuk është krijim i shtetit të Serbisë. Përkundrazi, është krijim i shtetit të Kosovës. Pra, nëse i përdor provat, dokumentacionet dhe provat gojore të ofruara nga Serbia në mënyrë dërrmuese, prokuroria duhet të ketë një mënyrë të mirë për ta arsyetuar atë. Përndryshe, Mbrojtja mund të gjejë mënyrën për të minuar besueshmërinë e ndonjë prej dokumenteve individuale ose dëshmitarëve gjatë marrjes në pyetje. Do të ishte shumë e pamatur nga Prokuroria të përdorte materialin e siguruar nga shteti serb dhe institucionet e tjera”, ka thënë Tromp për gazetën Nacionale.

Ajo ka kritikuar ashpër edhe mbajtjen në paraburgim për dy vjet, pa nisur ende gjykimi.

“Domethënë, “pjesa e shenjtë” e proceseve penale moderne është prezumimi i pafajësisë. Si është e mundur që një i akuzuar të mbahet në paraburgim për dy vjet dhe të mos lejohet të presë nisjen e gjykimit në liri? Pas dy viteve të shpalljes së aktakuzave në rastin Thaçi dhe të tjerët, nuk ka asnjë tregues se kur do të fillojë gjykimi. Për më tepër, nëse periudha paragjyqësore tani zgjat tashmë dy vjet, çfarë mund të presim nga kohëzgjatja e vetë gjykimit? Pesë vite? Imagjinoni: jeni duke u akuzuar për krime të rënda dhe duke u futur në burg, dhe duke pritur që gjyqi të përfundojë me vendim – dhe nëse të gjithë të akuzuarit lirohen, cili institucion do të jetë në gjendje të kompensojë ndonjëherë për 8 vjet të humbura të jetës së tyre në qendrën e paraburgimit në Scheveningen? Kjo është arsyeja pse thënia "Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar" ia vlen të mbahet mend”, deklaroi më tutje Nevenka Tromp.

Aplikojnë viktimat e radhës

Edhe 50 viktima të pretenduara, janë paraqitur në Gjykatën Speciale në procesin që po zhvillohet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Prej gjithë këtyre aplikimeve, Zyra për Regjistrimin e Viktimave ka kërkuar që 30 personave t’u aprovohet statusi i viktimës, kurse 20 të tjerëve t’u refuzohet. Nacionale ka parë dokumentin dhe sjell detaje.

Edhe 30 persona pritet ta marrin statusin e viktimës në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara. Kjo nëse gjyqtari i procedurës paraprake e aprovon kërkesën e Zyrës për Regjistrimin e Viktimave. Kjo zyrë ka rekomanduar që nga 50 aplikimet e fundit, 30 të aprovohen e 20 të refuzohen.

6 anëtarëve të një familjeje pritet t’i aprovohet kërkesa për ta marrë statusin e viktimës në gjykimin ndaj Thaçit. Kjo pasi Zyra ka rekomanduar se ata kanë arritur të dëshmojnë që janë viktimë indirekte e krimeve të pretenduara të ushtarëve të UÇK-së. Sipas raportit, një familjar i tyre sipas aktakuzës së ndryshuar, ka pësuar dëme fizike, materiale dhe mendore si pasojë e trajtimit të pretenduar nga ish-ushtarët e UÇK-së.

Në një pjesë të raportit të Zyrës së Viktimave, thuhet se aplikantët kanë arritur të dëshmojnë të gjitha pretendimet me dokumente mjekësore.

(Kosova Sot Online)