Izraeli: Ka “shumë mundësi” që ushtria e vrau gazetaren Shireen Abu Aqla

  • E.K /
  • 05 September 2022 - 22:36
Izraeli: Ka “shumë mundësi” që ushtria e vrau gazetaren Shireen Abu Aqla

Ushtria izraelite ka thënë se ka “shumë mundësi” që një ushtar i saj ka vrarë gazetaren palestinezo-amerikane, Shireen Abu Aqla.

Korrespondentja veterane e kanalit Al Jazeera, është qëlluar me plumb në kokë, teksa ka qenë duke mbuluar një bastisje në Bregun e pushtuar Perëndimor, në muajin maj të këtij viti.

Një zyrtar i lartë i ushtrisë izraelite ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë hetimi penal për ushtarët e përfshirë dhe e ka mbyllur këtë rast.

Familja e Abu Aqla-s, ka thënë se nuk është e befasuar që ushtria është duke tentuar të shmangë përgjegjësinë për vrasjen e saj.

Abu Aqla ka arritur në kampin e refugjatëve Jenin më 11 maj, për të raportuar për një bastisje të nisur nga ushtria izraelite, e cila më pas ka rezultuar me përleshje mes ushtarëve dhe militantëve palestinezë.

Ajo ka pasur në kokë një helmetë dhe një xhaketë, përmes së cilës është identifikuar si pjesëtare e medias.

Dëshmitarët dhe zyrtarët palestinezë patën raportuar se ajo është qëlluar për vdekje nga trupat izraelite.

Një pretendim i tillë është përkrahur nga Kombet e Bashkuara dhe hulumtues tjerë të rastit.

Një kërkim i kryer nga Shtetet e Bashkuara ka gjetur po ashtu se ka mundësi që ushtarët izraelitë kanë shtënë në drejtim të saj.

Korrespondentja e ndjerë është admiruar nga palestinezët dhe bota arabe përgjatë tri dekadave sa ka raportuar për këtë rajon.

Vrasja e saj ka marrë vëmendje globale.

(Kosova Sot Online)