Punëtorin që vdiq dyshohet se e mbyti dera hidraulike e kamionit

  • A.P /
  • 16 April 2026 - 11:15
Punëtorin që vdiq dyshohet se e mbyti dera hidraulike e kamionit

Një punëtor ka humbur jetën të mërkurën në vendin e tij të punës në zonën industriale të Shtimes, në rrethana që po hetohen si shkelje e sigurisë në punë.

Rasti i rëndë raportohet se ndodhi në kompaninë “Doni Fruits” në Shtime.

Viktima është Isuf Bislimi. Siç raportoi media ai dyshohet se është goditur rëndë në kokë nga dera hidraulike e një kamioni që është mbyllur derisa ai po punonte në depo. Ai fillimisht është dërguar në emergjencë në Shtime dhe më pas në Ferizaj, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.

Gjatë hetimeve janë intervistuar dy personandërsa menaxheri i ndërrimit të pasdites është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë.

Policia e Ferizajt ka bërë të ditur mbrëmë se rasti është iniciuar për shkelje të sigurisë në vendin e punës, asgjësim apo dëmtim të pajisjeve mbrojtëse.

Zëdhënësi Kanun Veseli tha se në vendin e ngjarjes kishin dalë hetuesit, krim-teknika dhe inspektorët e punës, të cilët kishin nisur ekzaminimin e rrethanave.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

(Kosova Sot Online)