Lubjana e Beogradi i tensionojnë raportet – shkak njohja e Kosovës para 14 vjetësh – çfarë ndodhi?

  • S.A /
  • 06 September 2022 - 09:40
Lubjana e Beogradi i tensionojnë raportet – shkak njohja e Kosovës para 14 vjetësh – çfarë ndodhi?

Sllovenia dhe Serbia i kanë tensionuar raportet mes tyre. Shkak për këtë është bërë një deklaratë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me presidentin slloven, Borut Pahor, lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sllovenia, para 14 vjetësh. Vuçiqi gjatë konferencës pyeti gazetarët se si t’ia shpjegojë kombit të tij se Serbia po i vë sanksione Rusisë, e jo Sllovenisë.

E sipas Vuçiqit, Rusia nuk ka shkelur integritetin e Serbisë dhe të drejtën ndërkombëtare, meqë nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërkohë që Sllovenia e ka bërë këtë.

Pas kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë ka ftuar ambasadorin e Serbisë në Lubjanë për intervistë, si protestë për deklaratën e Vuçiq.

Sipas N1, Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovenisë ia ka shprehur shqetësimin ambasadorit serb në Lubjanë, Zoran Vlatkoviq, lidhur me deklaratën e Vuçiqit.

Nga Sllovenia kanë kundërshtuar barazimin e njohjes sllovene të Kosovës me agresionin rus kundër Ukrainës.

“Ne informuam palën serbe se jemi shumë të befasuar nga deklaratat e presidentit Vuçiq. Edhe një herë përcollëm qëndrimin tonë për Kosovën, të cilën Sllovenia e njohu si shtet të pavarur. Në këtë drejtim, ne shprehëm pritjen që Serbia të mos e problematizojë qëndrimin tonë në lidhje me Kosovën në të ardhmen, sepse mbështetja e Sllovenisë për Kosovën nuk është e drejtuar kundër Serbisë. Ne gjithashtu shprehëm kundërshtimin tonë të fortë për barazimin e njohjes sllovene të Kosovës me agresionin rus kundër Ukrainës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë.

Ndryshe, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Serbia ka refuzuar t’i vë sanksione Rusisë pas agresionit në Ukrainë.

(Kosova Sot Online )