Hill rikonfirmon se ka ardhur koha e “temave të vështira” në tryezën e bisedimeve Kosovë -Serbi

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 17:48
Hill rikonfirmon se ka ardhur koha e “temave të vështira” në tryezën e bisedimeve Kosovë -Serbi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christohpher Hill, në një intervistë për Atlantic Council, ka folur për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Për diplomatin shumë vjeçar, çështja e letërnjoftimeve dhe targave s’janë çështje shumë të vështira, dhe sipas tij duhet të lëvizet përpara me temat e rënda siç është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Çështja kryesore që palët janë pajtuar të flasin është çështja e të ardhmes së komunitetit serb në Kosovë.  Për këtë ka një marrëveshje, dhe kjo marrëveshje ishte për krijimin e një Asociacioni të Komunave Serbe. Mendoj që ka një kuptueshmëri që ata duhet të kthehen tek kjo, dhe të shihet se çfarë mund të bëhet, për ta bërë të qartë dhe se si do të duket.

Sepse kur e shikon Mitrovicën, duhet të dish se si ligjet atje po zbatohen”, ka thënë Hill në këtë intervistë.

Ai tutje ka thënë se palët duhet të lëvizin drejt diskutimit të çështjeve të vështira.

“Çfarë duhet të bëhet është që të shkohet me çështjet e vështira”, ka thënë Hill.

“Ne duhet të shohim një normalizim të plotë mes dy shteteve”, ka shtuar mes tjerash.

(Kosova Sot Online)