Cakolli nga KDI thotë se partia Guxo bëri shkelje me zgjedhjen e dy kryetarëve

  • E.K /
  • 07 September 2022 - 22:30
Cakolli nga KDI thotë se partia Guxo bëri shkelje me zgjedhjen e dy kryetarëve

Pas zgjedhjes së dy kryetarëve të partisë Guxo, Eugen Cakolli nga KDI thotë se kjo parti e ka filluar zyrtarisht aktivitetin partiak/politik me shkelje të legjislacionit gjatë zgjedhjes së strukturave udhëheqëse të saj.

Sipas tij, legjislacioni zgjedhor në Kosovë nuk e njeh mundësinë e “bashkë-kryesimit” të partive.

Ai thotë se Ligji për Zgjedhjet dhe Rregulla Zgjedhore 01/2013 përcaktojnë qartazi që partitë politike kanë ‘kryetar’, e jo ‘kryetarË’.

“Rrjedhimisht, statutet e partive duhet t’i përcaktojnë procedurat për zgjedhjen e vetëm një kryetari. Ndryshe, nuk do të mund të zbatohen obligimet për funksionim të rregullt që ka partia politike, respektivisht kryetari/ja e saj – si instancë kryesore për, minimalisht, nënshkrimin e dokumenteve zyrtare dhe përgjegjësisë ligjore”, shkroi Cakolli.

Sipas tij, Zyra do të duhej t’i propozonte KQZ-së mosnjohjen e këtij Kuvendi dhe vendimmarrjes së partisë “Guxo” lidhur me këtë çështje, si dhe t’a obligojë atë që t’a harmonizojë statutin e partisë me kornizën ligjore.

Kujtojmë se sot partia Guxo zgjedhi dy kryetarë, Faton Peci dhe Donika Gërvalla të cilët do të bashkëkryesojnë në ushëheqjen e partisë.

(Kosova Sot Online)