Sulmi i Iranit “bashkon” PS-PD

  • A.P /
  • 12 September 2022 - 16:28
Sulmi i Iranit “bashkon” PS-PD

Sulmi i dytë kibernetik i Iranit ndaj sistemtit TIMS në Shqipëri, pas atij të 15 korrikut ndaj shërbimeve online, ka “bashkuar” PS-në dhe PD-në të cilat kanë vendosur të thërrasin në seancë dëgjimore të gjitha institucionet e sigurisë në vend.

Propozimi është bërë nga deputeti i PD, Ervin Salianji i cili ka kërkuar që mes të ftuarve të jetë edhe kryeministri Rama për të dhënë informacione mbi sulmin.

“Ne e dënojmë sulmin kriminal nga një shtet i huaj, duhet të biem dakord për të pasur në këtë komision, kreun e SHISH, AKSHIN apo përfaqësues nga qeveria, ministri i mbrojtjes mbase në një seancë tjetër apo edhe kryeministri.”, tha Salianji.

Kërkesa e tij është mbështetur nga kryetari i Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço.

“Bie dakord me kërkesën tuaj, një seancë që do jetë me dyer të mbyllura dhe nuk do jetë për publikun”, tha Naço.

Sistemi “TIMS” ra pre e agresionit iranian të premten duke shkaktuar kaos në pikat e kalimit kufitar për më shumë se 24 orë deri në rikthimin e sistemit në punë.

(Kosova Sot Online)