Biznesmeni i arrestuar dje është vëllai i pronarit të kompanisë që po hetohet për falsifikim dokumentesh

  • 22 September 2022 - 11:31
Biznesmeni i arrestuar dje është vëllai i pronarit të kompanisë që po hetohet për falsifikim dokumentesh

Aksioni ‘Brezovica 6’ që u zhvillua dje rezultoi me arrestimin e shtatë personave që ishin objekt i hetimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, nën dyshimet për kryerjen e veprave penale Të “Marrja e ryshfetit”, “Dhënia e ryshfetit”, “Fajdeja” dhe “Ushtrimi i ndikimit”. Në mesin e të arrestuarve ishte edhe biznesmeni Labinot Vitija, të cilit iu sekuestrua vetura luksoze, dokumente e kontrata të ndryshme.

Por kush është Labinot Vitija, biznesmeni në telashe me shtetin?

Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se Labinoti është vëllai i Kastriot Vitijës, kompania e së cilit dyshohet për falsifikim të dokumenteve. Bëhet fjalë për kompaninë Matkos, e cila është denoncuar në Prokurori nga Zyra e Prokurorimit të komunës së Prishtinë për mashtrim dhe lajthitje të autoritetit kontraktues.

Labinot Vitija

Image

Kastriot Vitija

Image

Sipas informacioneve të para, kompania e Kastriotit edhe në të kaluarën është zënë nga shteti me dokumente të falsifikuara, duke tentuar të mashtrojë institucionet, për të përfituar tenderë.

Se Kastrioti është pronar konfirmohet edhe në Agjencinë e regjistrimit të Bizneseve, ku emri i tij figuron si pronar.

Image

Ndryshe, drejtori i kësaj kompanie, Liman Buzuku, ishte arrestuar vitin e kaluar nën dyshimet për falsifikim dokumentesh, është kapur edhe një herë me dokument që dyshohet se është i falsifikuar. Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës, e ka eliminuar atë nga gara. Përveç kësaj, e njëjta kompani është denoncuar sërish në Prokurorinë Themelore të Prishtinës

Kompania “Matkos Pharm”, është eliminuar nga gara në një tender të ri të Komunës së Prishtinës, me 23 gusht të këtij viti.

Kjo, pasi autoriteti kontraktues, Komuna e Prishtinës ka konstatuar se në tenderin “Furnizim me pajisje mjekësore”, “Matkos Pharm” kishte ofruar dokument të falsifikuar.

Në arsyetimin e vendimit për eliminim të saj nga gara, thuhet se “Matkos” nuk e ka dorëzuar certifikatën ISO sipas kërkesave të tyre.

Këtë e kishte bërë pavarësisht se përfaqësuesja e kësaj kompanie e kishte nënshkruar edhe deklaratën nën betim përmes së cilës “dëshmonte” se është e gatshme të marrë përsipër “mundësinë e sanksioneve penale dhe civile, gjobave dhe dënimeve”.

Edhe përkundër që ajo kishte nënshkruar deklaratën, Komuna e Prishtinës e konstatoi se kompania të cilën e përfaqësonte ka ofruar dokument të falsifikuar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

(Kosova Sot Online)