Gjahu tragjik në Kolovicë, kërkohet paraburgim për personin që e qëlloi për vdekje shokun

  • E.K /
  • 26 September 2022 - 10:10
Gjahu tragjik në Kolovicë, kërkohet paraburgim për personin që e qëlloi për vdekje shokun

Dalja e dy shokëve për gjueti dje në “Kolovicë të Vjetër” në Prishtinë ka përfunduar në mënyrë tragjike. Viktima dyshohet se është qëlluar nga pakujdesia me pushkë gjuetie nga shoku i tij, me ç’rast nuk ka arritur t’i bëjë ballë plagëve. I dyshuari është arrestuar dhe tek i njëjti është konfiskuar një pushkë gjuetie me shtatë fishekë.

Ndaj tij do të kërkohet paraburgim në drejtim të veprave penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Këto informacioni i ka dhënë zëdhënsja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.

“Me urdhër të prokurorit është ndaluar një person në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas KPRK-së. Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për shqiptimin e masës për sigurimin e prezencës të pandehurit në procedurë penale”, tha Ulaj.

I dyshuari ndodhet në ndalim prej 48-orësh, teksa për rastin ka dhënë detaje edhe policia në raportin e saj 24-orësh.

“VRASJE NGA PAKUJDESIA/Kolovicë e Vjetër, Prishtinë, 25.09.2022-10:35. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar derisa kanë qenë për gjueti-rekreacion, nga pakujdesia ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK . Njësit relevante kanë dalur në vendin e ngjarjes. Nga i dyshuari është konfiskuar një pushkë gjuetie me shtatë fishekë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së. 

(Kosova Sot Online)