PE-ja propozon reforma në procesin e zgjerimit të BE-së

  • E.K /
  • 29 September 2022 - 14:55
PE-ja propozon reforma në procesin e zgjerimit të BE-së

Draft-raporti i përgatitur nga deputeti i Parlamentit Evropian (PE) nga Kroacia, Tonino Piculla, për të cilin do të debatohet në tetor në PE, propozon ndryshime të mëdha në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE).

Në disa amendamente të këtij drafti të raportit, të cilat i ka siguruar Radio Evropa e Lirë, propozohen edhe ndryshime në mënyrën e miratimit të vendimeve, duke hequr dorë nga unanimiteti dhe duke kaluar në votim me shumicë të kualifikuar në Këshill.

Ky ndryshim është propozuar për të pamundësuar që disa vende anëtare të mund të bllokojnë hapjen apo mbylljen e kapitujve negociues, siç ka ndodhur shpesh në të kaluarën.

“Të forcohen kapacitetet e BE-së për të vepruar duke reformuar procesin e vendimmarrjes, përfshirë edhe përmes vendosjes së votimit me shumicë të kualifikuar në fushat relevante për procesin e zgjerimit”, thuhet në një paragraf të raportit, për të cilin do të votohet më vonë.

Më tej thuhet se “të hiqet në veçanti kërkesa për unanimitet kur votohet për hapjen apo mbylljen e procesit negociues, si dhe për hapjen apo mbylljen e kapitujve apo bllokut të kapitujve të veçantë”.

Në këtë draft-raport në disa vende përsëritet se kredibiliteti i procesit të zgjerimit, e me këtë edhe i BE-së në tërësi, ka qenë i dëmtuar për shkak se disa vende anëtare kanë shfrytëzuar interesat e tyre nacionale për të bllokuar procesin e zgjerimit. Kjo, sipas këtij raporti, “ka krijuar hapësirë për ndikimin e Rusisë, Kinës dhe faktorëve tjerë të dëmshëm në rajon”.

“Të shmanget përdorimi i mospajtimeve bilaterale dhe rajonale për bllokimin e procesit të anëtarësimit të vendeve anëtare dhe të vendoset një mekanizëm zyrtar për zgjidhjen apo arbitrimin e këtyre mospajtimeve, për të mbështetur zgjidhjen e tyre ndaras nga procesi i anëtarësimit në BE, sepse kjo pengon implementimin e politikave të BE-së dhe dëmton ndikimin rajonal dhe global”, thuhet në një amendament të këtij raporti.

Në mesin e propozimeve tjera, të cilat do të mund të kenë ndryshim në procesin e zgjerimit është edhe kërkesa që të caktohet një “afat i qartë kohor për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit me vendet nga procesi i anëtarësimit më së voni deri në fund të kësaj dekade”.

Propozohet edhe përfshirja graduale e vendeve kandidate në institucionet e BE-së dhe në takimet e niveleve të ndryshme, sipas meritave individuale bazuar në përparimin e shënuar në reforma dhe përmbushjen e kritereve.

Me këtë draft-raport propozohet edhe emërimi i një “kryenegociatori” nga ana e BE-së, i cili do të zhvillonte negociata me një mandat dhe bazë të zgjeruar dhe do të ishte përgjegjës edhe para Parlamentit Evropian.

Gjithashtu, ky draft-raport përsërit se duhet të bëhet e qartë se nuk mund të ketë asnjë alternativë përveç anëtarësimit të plotë në BE, si qëllim i procesit të zgjerimit.

Në raport bëhet thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes së ndërsjellë, në mënyrë që të dyja vendet të mund të avancojnë drejt BE-së dhe të ketë ndikim pozitiv për tërë rajonin.

Kurse, nga Kosova dhe Serbia, kërkohet që t’i adresojnë të gjitha problemet përmes dialogut në mënyrë transparente dhe me vullnet të mirë.

Sipas draftit, propozohet po ashtu që vendet kandidate të bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit Publik të BE-së për të adresuar dyshimet për keqpërdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian.

Në një prej paragrafëve të draft-raportit bëhet ftesë edhe për rezerva ndaj nismave siç është ajo e Ballkanit të Hapur.

“Shprehet rezervë e fuqishme ndaj secilës nismë për bashkëpunim rajonal ekonomik, e cila nuk i përfshinë të gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk është e bazuar në rregullat e BE-së, siç është nisma Ballkani i Hapur”, thuhet në një amendament.

Më herët është raportuar se në këtë draft-raport kërkohet që avancimi i Serbisë drejt BE-së të kushtëzohet me mbështetjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, ndërsa me këtë dhe me përparimin në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe lirisë së mediave të kushtëzohen edhe fondet e Bashkimit Evropian për Serbinë.

Për këtë raport dhe amendamentet e propozuara, pritet të diskutohet në mesin e muajit tetor në Komisionin e politikës së jashtme, e më pas në nëntor edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian. /REL/

(Kosova Sot Online)