Deklarata e Mimoza Kusarit për rroga nxit reagime, Latifi: Qysh s’i vjen marre

  • A.P /
  • 03 October 2022 - 15:47
Deklarata e Mimoza Kusarit për rroga nxit reagime, Latifi: Qysh s’i vjen marre

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari, tha sot se ata që mbajtën grevë, nuk do t’i marrin pagat e shtatorit. Profesori universitar, Blerim Latifi, pyet se si “nuk i vjen marre që pikërisht në këtë ditë të dalë me këtë deklaratë”.

Pushteti është i prerë se punonjësit publike të cilët ishin në grevë gjatë shtatorit, që i bie të gjithë mësimdhënësit, nuk do t’i marrin rrogat e një muaji.

Latifi e krahason pagën që Kusari dhe kolegët e marrin në raport me punën që e bëjnë në Kuvend. Sipas tij, ajo çka bëjnë deputetët, vlen shumë më pak se puna e mësuesve.

“Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve”, ka shkruar Latifi.

Shkrimi i plotë i Latifit:

Isha në shkollë sot.E dërgova djalin tim gjashtë vjeçar në ditën e parë të shkollës. Mësuesit mundoheshin të krijonin një atmosferë festive. Edhe prindërit, derisa i drejtonin fëmijët drejt tyre me buqeta lulesh. Por atmosfera e zymtë ndihej nga të gjithë. Arsyeja dihet. Në ndërkohë, derisa po prisnim që fëmijët të futeshin në klasa, unë e hapa telefonin. Në ballinë të portaleve një deklaratë e Mimoza Kusarit. Në deklaratë ajo thoshte se për mësuesit grevistë nuk do të ketë pagë të shtatorit. U irritova dhe thash me vete : Qysh s’i vjen marre që pikërisht në këtë ditë të dalë me këtë deklaratë. Qysh s’i vjen marre, asaj dhe shumë kolegëve e kolegeve të saj, të cilët nuk kanë probleme financiare në përballimin e jetës së përditshme, ngase paguhen si askush tjetër në Kosovë, ndërsa puna që bëjnë realisht vlen më pak se puna e mësuesve.

Pse?

Sepse, praktikisht, sot Kuvendi i Kosovës është një ndër institucionet më dembele dhe më joefektive në krejt sistemin institucional të Kosovës. Realizimi i agjendës legjislative është për faqe të zezë dhe nëse do të vendosej një standart për t’i paguar deputetët e Kuvendit të Kosovës në bazë të realizimit të kësaj agjende, jo 2000 euro, por as 200 nuk do të mund t’i merrnin.

Debatet që bëhen aty në shumicën e kohës janë debate të një niveli shumë të ulët intelektual e profesional. Të vetmen punë që Mimoza Kusari e shumica e kolegëve e kolegeve të saj dinë ta bëjnë mirë është të prodhojnë akuza kundër njëri tjetrit, sa për të dalë në media dhe për t’i kënaqur militantët e shkretë të partive të tyre.

Me fjalë të tjera : ata janë pasqyra ma objektive e rënies intelektuale e kulturore, të cilën shoqëria kosovare është duke e jetuar viteve të fundit.

(Kosova Sot Online)