A do të kompensohen orët e humbura të mësimit?

  • E.K /
  • 04 October 2022 - 08:10
A do të kompensohen orët e humbura të mësimit?

Me një muaj vonesë, për shkak të grevës në institucionet publike arsimore, mbi 300.000 nxënës në Kosovë nisën më 3 tetor vitin e ri shkollor.

Orët e humbura në shtator nuk dihet nëse do të kompensohen ose jo – Ministria e Arsimit thotë se duhet, Sindikata e Arsimit insiston se nuk ka obligim ligjor për këtë.

Më të shqetësuar për humbjen e tyre, me sa duket, janë maturantët.

“Orët duhet të kompensohen. Edhe nëse unë angazhohem më tepër në shtëpi, efekti nuk do të jetë njësoj si në shkollë”, thotë L.V., nxënës i klasës së 12-të në Shkollën e Mesme të Lartë të Mjekësisë “Dr. Xheladin Deda” në Mitrovicë.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ky 17-vjeçar thotë se shqetësim të ngjashëm ndajnë edhe shokët e shoqet e tij.

Nxënësit që përfundojnë shkollën e mesme në Kosovë i nënshtrohen Provimit Shtetëror të Maturës. Përfundimi me sukses i këtij testi – edhe pse shpesh i përcjellë me parregullsi – u mundëson atyre aplikimin për studime në universitet.

Nehat Mustafa, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Arsimit në Kosovë, thotë se janë pikërisht maturantët ata që do të humbasin më shumë, nëse orët e humbura gjatë grevës, nuk kompensohen.

“Mësimi për maturantët përfundon më 16 maj. Viti shkollor për ta ka vetëm 160 ditë mësim. Deri më tani janë humbur 22 ditë. Kjo do të ketë efekt negativ në testin e maturës”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Ministria e Arsimit e ka obligim që të gjejë forma për zëvendësimin e orëve të humbura.

Ministria e Arsimit vs. SBASHK-u

Nga kjo ministri pohojnë se 22 ditët e humbura të mësimit duhet të kompensohen.

“Ne do ta ndryshojmë kalendarin e vitit shkollor, të cilin duhet ta respektojnë të gjithë”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Arsimit dhënë Radios Evropa e Lirë.

Sipas saj, situata me grevën njëmujore e ka vështirësuar edhe më shumë procesin mësimor në Kosovë, edhe ashtu të rënduar nga pandemia e koronavirusit.

(Kosova Sot Online)