SBASHK-u ultimatum Qeverisë: Të presim veç edhe nesër!

  • G.G /
  • 04 October 2022 - 13:21
SBASHK-u ultimatum Qeverisë: Të presim veç edhe nesër!

Pagat për punëtorët e arsimit nuk janë ekzekutuar.

Qeveria e Kosovës ka thënë se nuk do të ketë paga për ata që nuk kanë punuar.

E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se komunat nuk i kanë dërguar listat e pagave në Thesar.

Por, kryetarët e komunave thanë se listat janë dërguar nga ana e tyre, sipas rregullova si zakonisht.

Mirëpo, pagat nuk i janë ekzekutuar asnjë punëtori të arsimit, as atyre që kanë qenë në pushim të lehonisë e nuk kanë mbajtur grevë.

Luljeta Boshnjaku nga Këshilli Grevist i SBASHK-ut, thotë se listat janë dërguar nga komunat por që askush pagë nuk ka marrë, e për këtë thotë se fajin e ka ministria.

“Ne kemi informatë që listat janë dërguar nga komunat në mënyrë të rregullt. Këtë po e them pasi ka shumë gra që janë lehona, në pushim të lehonisë dhe ka të tjerë që kanë dalë në pension, nuk kanë marrë pjesë në grevë dhe në sistemin parauniversitar, nga çerdhet e deri te shkollat e mesme, askush nuk ka marrë pagë, ndërsa në universitet po, edhe shërbyesit civilë po, këta të fundit kanë qenë në grevë por kanë marrë paga. Kështu që, unë nuk besoj që është faji i komunave, faji është te ministria”, deklaron ajo.

Boshnjaku potencon se nesër është afati i fundit dhe presin nëse ministria do t’i ekzekutojë pagat e më pas do të shohin si të veprojnë.

“Nesër është afati i fundit sikur muajin e kaluar, deri me datën 5 dhe të shohim nesër çka po ndodhë dhe pastaj të shohim se si do të veprojmë”, tha Boshnjaku.

(Kosova Sot Online)