4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë, Gucati e paguan këta të fundit

  • G.G /
  • 10 October 2022 - 10:52
4 vjet e gjysmë burgim dhe nga 100 euro gjobë, Gucati e paguan këta të fundit

Në një shkresë të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), është bërë e ditur se Hysni Gucati e ka paguar gjobën prej 100 eurosh.

Në këtë shkresë të parashtruar nga administratorja e DhSK-së, Fidelma Donlon, thuhet se më 18 maj 2022, trupi gjykues II nxori aktgjykimin në rastin KSC-BC-2020-07, ku Hysni Gucati u dënua, ndër të tjera, me një gjobë prej 100 eurosh.

Aty thuhet se në përgjigje të kërkesës së avokatit të Gucatit për informacione të mëtejshme nga administratorja për mënyrën e kryerjes së pagesës së gjobës, në përputhje me rregullin 165 (1) të Rregullores, administratorja i dha avokatit udhëzimet dhe informacionet përkatëse për plotësimin e pagesës.

Më 3 tetor 2022, thuhet se bashkë-avokati i Gucatit e informoi Zyrën e Regjistrimit se ishte kryer pagesa e gjobës. Në të njëjtën ditë, Zyra e Regjistrimit mori një pagesë hyrëse prej 100 euro.

“Në bazë të rregullit 82 (1) (b) dhe (3) të Rregullave, Anekset 1 dhe 2 depozitohen në mënyrë konfidenciale, pasi ato përmbajnë informacion personal në lidhje me avokatin dhe këshilltarin, dhe informacione të brendshme administrative”, thuhet në fund të shkresës.

Ndryshe, më 18 maj 2022 është shpallur aktgjykimi ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, ku trupi gjykues i shpalli fajtorë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Ata u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, akuzoheshin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkoheshin se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

(Kosova Sot Online)