Ish-këshilltari i sigurisë nga Shtëpia e Bardhë: Nëse Putin sulmon me armë bërthamore, do ta gjejmë dhe do ta vrasim

  • E.K /
  • 12 October 2022 - 11:41
Ish-këshilltari i sigurisë nga Shtëpia e Bardhë: Nëse Putin sulmon me armë bërthamore, do ta gjejmë dhe do ta vrasim

Shtetet e Bashkuara mund të vrasin Vladimir Putinin nëse presidenti rus vendos të sulmojë Ukrainën me armë bërthamore, tha në një deklaratë ish-këshilltari i sigurisë i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton.

Gjatë një intervistë me LBC,  ish-bashkëpunëtori i ngushtë i ish-presidentit amerikan Donald Trump tha se nëse Moska vendos të përdorë një armë bërthamore, atëherë shërbimet sekrete amerikane janë në gjendje të gjejnë Putinin dhe ta vrasin.

“Shikoni çfarë ndodhi në Iran me Qassem Soleimanin, kur ne vendosim që dikush përbën kërcënim për SHBA-në”, tha  Bolton, duke iu referuar gjeneralit iranian që amerikanët e vranë nën udhëheqjen Trump, në janar 2020, duke shkaktuar muaj trazirash me Iranin dhe duke ndihmuar në radikalizimin e mëtejshëm të regjimit iranian.

Prandaj, shtoi Bolton, çdo përdorim i armëve bërthamore nga sundimtari rus do të përbënte për të “vetëvrasje”, pasi reagimi amerikan do të vinte menjëherë.

“Por unë nuk e përjashtoj mundësinë e armëve bërthamore nëse forcat ruse në Ukrainë shkatërrohen ose nëse Putini do të jetë vërtet në një pozitë  të vështirë, politikisht brenda Rusisë”, shtoi ai.

“Dhe ne duhet t’ia bëjmë të qartë këtë atij dhe njerëzve përreth tij, në qeverinë e tij, në mënyrë që ata të ndërmarrin veprime përpara se ai të bëjë diçka të tillë.”

(Kosova Sot Online)