Qeveria shtyn përpara projektligjin që ashpërson dënimet për ‘dhunim’, ‘sulm seksual’ dhe ‘dhunë në familje’

  • E.K /
  • 12 October 2022 - 11:43
Qeveria shtyn përpara projektligjin që ashpërson dënimet për ‘dhunim’, ‘sulm seksual’ dhe ‘dhunë në familje’

Gjatë mbledhjes së sotme, Qeveria ka shtyrë përpara projektligjin për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që ashpërson dënimet kundër personave që shpallen fajtorë për veprat penale “Dhunim”, “Sulm seksual” dhe “Dhunë në familje”.

Para miratimit të këtij projektligji, kryeministri Kurti foli për rastin e 11-vjeçares që u dhunua nga pesë persona.

“Shtangemi nga rasti i dhunimit të vajzës 11-vjeçare nga pesë persona të moshës madhore. Përderisa shoqëria reagon me protesta masive e kërkon drejtësi për viktimat, sistemi gjyqësor hesht. Ne nuk mund ta bëjmë detyrën e gjyqtarit dhe prokurorit, por mund të hartojmë politika që shtyjnë gjyqtarin dhe prokurorin të reagojnë e të veprojnë më shumë e më shpejt, që sjellin përgjigje ndaj thirrjeve të shoqërisë për të sjellë drejtësi. Këtë sot e bëjmë përmes plotësim-ndryshimit të kodit penal, duke ashpërsuar dënimet kundër tyre”, tha Kurti.

Pas tij, fjalën e mori ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila njoftoi se do të shtohen dënime plotësuese për personat që shpallen fajtorë për këto vepra penale.

“Paraqes para juve për shqyrtim dhe aprovim projektligjin për plotësim-ndryshimin e kodit penal të Republikës së Kosovës, procedimi i të cilit është bërë në pajtim me nenin 33 të Rregullores së Qeevrisë, si nevojë dhe domosdoshmëri urgjente për ndryshimin e masave ndëshkuese  për veprat penale të “Dhunimit”, “Sulmit seksual”, “Dhunës në familje”, duke marrë parasysh trendin shqetësues në rritje të këtyre rasteve. Ministria e Drejtësisë, në procedurë të përshpejtuar, ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për rishikimin e masave ndëshkuese për kryesit e veprave penale të cekura më lart”, tha Haxhiu.

“Kemi paraparë që për veprat penale të “Dhunimit, “Sulmit seksual” dhe “Dhunës në familje”, të shtohen si dënime plotësuese si në vijim: Ndalim i të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga 3 deri në 10 vjet personi i cili shpallet fajtor për veprën penale “Dhunimit” dhe “Dhunës në familje”; ndalim i punësimit në sektorin publik në të gjitha nivelet personit i cili shpallet fajtor për veprën penale “Dhunim”; ndalim i të drejtës së përfitimit të patentë-shoferit dhe të drejtën e drejtimit të automjetit në çdo kategori 1 deri në 5 vjet  personit i cili shpallet fajtor për veprën penale “Dhunim”; poashtu ndalimi i blerjes në ankande të shitjes së pronave publike në çfarëdo shërbimi 3-10 vjet; ndalimi i aplikimit si investitor strategjik apo çfarëdo forme tjetër e përfitimit nga privilegjet që jepen nga legjislacioni në fuqi 3-10 vjet”, tha ajo. 

(Kosova Sot Online)