Frika e së ardhmes:Qytetarët nuk do të ikin me liberalizimin e vizave, por me viza pune

  • G.G /
  • 12 October 2022 - 13:06
Frika e së ardhmes:Qytetarët nuk do të ikin me liberalizimin e vizave, por me viza pune

Liberalizimi i vizave, sipas analistëve, nuk po konsiderohet si rrezik i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve të Bashkimit Evropian, pasi ata tani kanë mundësi që të largohen nëpërmjet vizave të punës. Ndërsa, nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës kanë thënë për Portalin Dukagjini se Kosova është duke u zbrazur nga mungesa e kushteve të punës për punëtorët e sektorit privat dhe nuk e sheh liberalizimin e vizave si rrezik.

Të enjten 13 tetorit pritet që raporti i Komisionit Evropian të jetë në rend të ditës, ku shtetet anëtare të Bashkimit Evropian do ta shqyrtojnë mundësinë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë që nuk kanë lirinë e lëvizjes në Bashkimin Evropian (BE).

Vendimet e shteteve janë sovrane dhe për t’u hequr vizat për Kosovën duhet që të gjitha shtetet anëtare të BE-së të votojnë pro, sepse vendimet merren në mënyrë unanime.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës ka folur lidhur me ikjen e punëtorëve pas liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas tij, do të ketë ikje të punëtoreve të cilët nuk kanë një kualifikim, por jo aq sa është duke u pritur.

“Punëtorët e kualifikuar nuk po e kanë telashin e liberalizimit të vizave, sepse pronarët e kompanive me plot dëshirë janë duke i marrë këta punëtorë”, ka thënë ai.

Azemi ka ngritur alarmin e zbrazjes së Kosovës nga të rinjtë.

“Kosova është në prag të zbrazjes, realisht liberalizimi i vizave nuk do të jetë një ikje fushatë qysh është menduar, pasi njerëzit vetëm kanë ikur, tani do të ikin disa punëtorë të cilët nuk kanë ndonjë kualifikim të caktuar”, ka theksuar Azemi.

Më tej, ai ka treguar se si Kosova ka ardhur në gjendje që të marrë punëtorë nga vendet e tjera.

“Me futjen e punëtorëve nga jashtë është dëmtuar edhe fuqia punëtore e sektorit privat brenda Kosovës”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, Azemi ka shtuar se kjo i dëmton kompanitë, dhe në vitet e ardhshme do të përballen me situatën të cilën e kanë krijuar duke mos i vlerësuar punëtorët.

”Do të jetë situatë shumë e rëndë për kompanitë, sepse në 2-3 vitet e ardhshme nuk do të kenë fuqi punëtore nën moshën 50 vjeçare, dhe dihet produktiviteti që mund të japë kjo moshë në kompani”, ka theksuar Azemi.

Ndërsa, analisti Arbnor Sadiku ka treguar se si do të ndikojë liberalizimi i vizave.

“Në fillim të liberalizimit të vizave mund të ketë një shtytje të qytetarëve për të dalë jashtë, por më vonë situata do të qetësohet”, kështu ka vlerësuar ai, teksa ka shtuar se këtë që e ka thënë e ka bazuar në statistikat e vendeve të rajonit, të cilat ishin përballur me emigrim pas liberalizimit të vizave, te të cilat pas një kohe gjendja përsëri ishte normalizuar.

Më tej, Sadiku ka sqaruar se liberalizimi i vizave nuk nënkupton të drejtën e punës dhe kjo është një nga arsyet sipas tij që diçka e tillë nuk do të ketë shumë ndikim në Kosovë.

“Liberalizmi i vizave është vetëm një e drejtë e qytetarëve që mund të shfrytëzohet për 3 muaj deri në 6 muaj, pastaj sërish duhet të rikthehesh në vendin nga ke ardhur”, ka shtuar ai.

Sadiku gjithashtu ka treguar se pse janë duke ikur qytetarët nga Kosova.

“Ikja e qytetarëve të Kosovës ndodh për shkak të mungesës së punësimit, dhe kompanitë nuk ofertojnë përshtatjen e pagesës me kushtet e jetesës, ku për çdo ditë kemi vështirësi me rritjen e çmimeve”, ka thënë Sadiku.

Kështu, ai ka përfunduar duke thënë se qytetarët e Kosovës më shumë do të largohen nga Kosova me viza të punës, sesa me liberalizimin e vizave.

Brenda vitit 2021, Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar, gjithsej, 34 mijë viza të të gjitha kategorive, nga të cilat 4 mijë e 442 ishin viza pune.

Kështu ka njoftuar ambasada në një përgjigje me shkrim për Portalin Dukagjinin, ku tregohet se në mesin e këtyre vizave, 17 mijë prej tyre janë lëshuar për qëndrime afatgjata.

“Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar rreth 34 mijë për të gjitha kategoritë. Këtu përfshihen 17 mijë viza afatshkurtra dhe rreth 17 mijë viza për qëndrime afatgjata për qëllime të bashkimit familjar, viza të punësimit, studimit, etj. Në shifër përfshihen edhe 4 mijë e 442 viza pune”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.

Sipas statistikave të dërguara nga ambasada, shumica e vizave të tjera nacionale të lëshuara në vitin 2021 kanë qenë për qëllime të bashkimit familjar.

(Kosova Sot Online)