Si e bekoi kisha serbe njeriun që ka kryer krime në Kosovë?

  • E.K /
  • 13 October 2022 - 08:22
Si e bekoi kisha serbe njeriun që ka kryer krime në Kosovë?

Në kuadër të kremtimit të 690-vjetorit të manastirit të Shën Nikollës në Vranjë, ipeshkvi i Vranjës, peshkopi Pahomija, nderoi të burgosurin e Hagës, Vladimir Lazarevic. Në ceremoni, ipeshkvi i dhuroi atij Urdhrin e Dëshmorëve të Surdulicës, pas bekimit të mëparshëm të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve me propozim të Këshillit të Eparkisë së Vranjës, për “nxitje të filantropisë dhe vlerave ortodokse”.

Kujtojmë se Lazarevic është një gjeneral në pension i ish-Ushtrisë Jugosllave, i cili u dënua me 14 vjet burgim nga Tribunali i Hagës për përgjegjësi komanduese, ndihmë dhe nxitje për krime kundër njerëzimit, që përfshinin deportimin dhe transferimin me forcë të civilëve shqiptarë të Kosovës.

Pasi kreu dy të tretat e dënimit në burg, u vendos që ai të lirohej.

Kjo nuk është hera e parë që Lazarevic nderohet në Serbi, disa vite më parë ai u shpall qytetar nderi i komunës Pantelej të Nishit.

Pas lirimit nga burgu, në dhjetor të vitit 2015, ai zbarkoi në aeroportin e Nishit, i shoqëruar nga krerët shtetërorë dhe ushtarakë dhe më pas në një fjalim e mohoi fajin. Ai pretendoi se ishte dënuar “pa asnjë provë materiale”.

Më pas ai u prit nga ministrat e atëhershëm të Drejtësisë dhe Mbrojtjes, Nikola Selakoviq dhe Bratislava Gashiq, dhe morën pjesë edhe Aleksandar Vulin, i cili ishte ministër i Punës në atë kohë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, Ljubisha Dikoviq, dhe zyrtarët e qytetit të Nishit

(Kosova Sot Online)