1,000 euro në muaj: Kjo kompani shtetërore ka pagën më të lartë në Maqedoninë e Veriut

  • E.K /
  • 14 October 2022 - 09:15
1,000 euro në muaj: Kjo kompani shtetërore ka pagën më të lartë në Maqedoninë e Veriut

GA-MA është kompani tërësisht shtetërore që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, pasi Qeveria dhe Makpetrol arritën marrëveshje dhe kompania private hoqi dorë nga aksionet e saj për një kompensim të duhur monetar.

GA-MA ka të punësuar gjithsej 58 persona, pesë prej të cilëve janë anëtarë të Bordit të Drejtorëve.

Vitin e kaluar, të hyrat e GA-MA kaluan 7.7 milionë euro, që është 23 për qind më shumë se viti paraprak 2020, në të cilin për shkak të krizës së koronës pati ulje të caktuara të konsumit të gazit natyror në vend.

Shpenzimet më të mëdha operative të GA-MA janë shpenzimet e punonjësve që vitin e kaluar ishin 2.1 milionë euro. Andaj rroga mesatare në këtë kompani është 1 mijë euro, ashtu që i bie që punonjësit e saj marrin rroga të majme.

GA-MA vitin 2021 e mbylli me një fitim prej më shumë se 3 milionë eurosh, ndërsa kanë shpërndarë dividentë në vlerë prej gati 1 milionë euro.

Kompania menaxhon sistemin kryesor të gazsjellësit dhe ngarkon një tarifë të rregulluar për punën e saj, e cila përcaktohet nga Komisioni Rregullator për Energjetikë, përcjell INA. Ajo ka një filial dhe ai është nënstacioni i gazit në Kriva Pallankë, ku aktualisht sistemi i transmisionit të gazit është i lidhur me gazsjellësin kryesor bullgar që operon nga kompania ruse “Gazprom”.

(Kosova Sot Online)